Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Kuçi Këshillon Todosijeviqin rreth Emrit të Mitrovicës

Hajredin Kuçi në mbledhjen e sotme të qeverisë këshilloi ministrin e ri të Administrimit të Pushtetit Lokal Ivan Todosijeviq që kur flet për Mitrovicën nuk ka nevojë t’i thotë asaj Mitrovicë e Jugut.

Kuçi i tha Todosijeviqit se është krejt në rregull që kur flet për veriun e këtij qyteti ta quajë atë Mitrovica Veriore.

Me Planin e Ahtisaarit të bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës Mitrovica përbëhet nga dy komuna-Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut.

Hajredin Kuçi foli për emrin e Mitrovicës kur në mbledhjen e qeverisë u diskutua rreth mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga universiteti në Mitrovicën Veriore.

Ministri i Arsimit Arsim Bajrami duke raportuar për punën e këtij komisioni, kërkoi që atij t’i vazhdohet mandati

“Deri tani ky komision ka marrë  463 aplikacione, ku 270 prej tyre kanë qenë pozitive, 26 negative, 2 aplikime te pakompletuara dhe 166 tjera janë në shqyrtim e sipër. Andaj kërkoj që t’i vazhdohet mandati komisionit edhe për 1 vit, deri më 13 maj 2018″, tha Arsim Bajrami.

Qeveria pastaj miratoi vazhdimin e mandatit të komisionit.

Qeveria në mbledhjen e sotme ndau 30 mijë euro për sanimin e kulmit te shkollës fillore “Ramë Bllaca” në Bllacë të Suharekës, për shkak se para disa muajve ishte djegur kulmi i kësaj shkolle.

Në mbledhje Bekim Hoxha është emëruar drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil me një mandat 3 vjeçar.