Gjykimi i kryeinspektorit për ryshfet | Foto: KALLXO.com

Kryeinspektori Kundërshton Aktakuzën për 10 Mijë Euro Ryshfet

Kryeinspektori i punës i regjionit të Prishtinës, Muhamet Binaku, i cili akuzohet se ka kërkuar 10 mijë euro ryshfet,  kundërshtoi aktakuzën e paraqitur nga prokurorja Merita Bina-Rugova.

Besnik Berisha, avokati i të akuzuarit Muhamet Binaku, tha se urdhëresat për masat e fshehta të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake në rastin e Binakut, nuk ishin të arsyetuara dhe vetëm përmbanin fjali të stereotipizuara.

Berisha para gjykatës prezantoi edhe raste nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut, në të cilat është konstatuar se lëshimi i urdhëresave për masa të fshehta pa arsyetime të mjaftueshme është shkelje.

Kjo u kundërshtua nga prokurorja, Merita Bina-Rugova e cila tha se mbrojtja përkundër përpjekjeve nuk ka pasur mundësi të gjejë ndonjë mundësi reale gjatë procedurës hetimore dhe është fokusuar në detaje që s’janë të parashikuara si të domosdoshme.

Muhamet Binaku ishte arrestuar në Prishtinë pas aplikimit të masavae të fshehta, ndërsa gjatë arrestimit i ishin gjetur një shumë e parave që akuzohet se i pranoi si ryshfet.

Binaku, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, akuzohet se më datë 22 shtator 2016 rreth orës 19:30 në kafiterinë “Sach” e cila gjendet në Bulevardin “Bill Clinton”, në Prishtinë në cilësinë e kryeinspektorit të Regjionit të Prishtinës pranë inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka kërkuar ryshfet.

Sipas aktakuzës, Binaku ka kërkuar nga dëshmitari , Liridon Zogiani, kontabilist në kompaninë “All Zone”, shumën prej 10 mijë eurove, në mënyrë që të mos e ndëshkonte për shkak të 4 punëtorëve të huaj, të cilave iu kishte kaluarafati i kontratës së punës dhe kinse duhej të ndëshkoheshin me 90 mijë euro gjobë për secilin.

Në aktakuzë pretendohet se i akuzuari nuk e ka konstatuar këtë shkelje të ligjit në inspektimin që e kishte kryer po atë ditë në kompaninë “All Zone”.

Aktakuza sqaron se Liridon Zogiani rastin e ka paraqitur në polici.

Të nësermen më 23 shtator 2016, sipas aktakuzës, i pandehuri është zënë në flagrancë pasi që nga Liridon Zogiani në kafiterinë “Sach” rreth orës 16:00 i ka marrë të hollat në shumën e kërkuar.

Seanca e radhës do të mbahet pasi që gjyqtari i këtij rasti Valon Kurtaj të vendosë lidhur me kundërshtimin e aktakuzës nga mbrojtja.