Nga një mbledhje e KPK-së | Foto: KALLXO.com

KPK Kritikon Raportin e Prokurorisë Speciale

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të mbajtur sot, u shqyrtuan raportet e kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj.

Kryesuesi i Këshillit, Blerim Isufaj kërkoi nga kryeprokurorët që të raportojnë lidhur me numrin e lëndëve për periudhën prill – qershor 2017, për të cilat ka pasur pushim të hetimeve, hedhje poshtë të aktakuzave, tërheqje nga aktakuza dhe ankesa ndaj aktgjykimeve.

Këshilli, pas prezantimit të raporteve nga kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive, aprovoi unanimisht raportet e Prokurorisë së Apelit dhe prokurorive themelore në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj.

Ndërkaq, raporti i prezantuar nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Haki Geci, u aprovua vetëm pjesërisht.

Kryesuesi i Këshillit, Blerim Isufaj, pati kritika lidhur me mangësitë e informatave të raportit të prezantuar nga Prokuroria Speciale dhe kërkoi nga përfaqësuesi i kësaj prokurorie që në mbledhje e tjera të prezantohen informata të nevojshme që janë kërkuar nga Këshilli.

Ndërkaq, në fund z. Isufaj lavdëroi punën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt dhe suksesin në rritjen e numrit të lëndëve të zgjidhura në raport me lëndët e reja të trajtuara prej saj.

Në mbledhje u aprovua unanimisht edhe pika tjetër e rendit të ditës, lidhur me propozimin e temave për trajnime për vitin 2018 në Akademinë e Drejtësisë.

KALLXO.com ka ndjekur edhe mbledhjet tjera të KPK-së.