Sulm terrorist në Barcelonë - Foto: Rtv21

Kosova Dënon Sulmin Terrorist në Barcelonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjen më familjet e viktimave si pasojë e sulmit terrorist në Barcelonë.

“Ne dënojmë ashpër këtë sulm dhe, së bashku me aleatët tanë, mbesim të palëkundur në luftën e përbashkët dhe të pakompromis kundër terroristëve kudo në botë. Vlerat demokratike që shoqëritë tona i kanë ndërtuar, nuk do të mund të përdhosen nga sulme të tilla qyqare kundër qytetarëve të pafajshëm”, thuhet në postimin e Thaçit në “Facebook”.

Edhe kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka dënuar sulmin terrorist në Barcelonë, duke shprehur ngushëllime për popullin spanjoll dhe të prekurit nga aktet e sotme.

“Kosova qëndron pranë popullit spanjoll dhe të prekurve nga aktet terroriste, në këto çaste të vështira”, ka shkruar kryeministri Mustafa.

Ndryshe si pasojë e një sulmi me furgon në sheshin kryesor në Barcelonë kanë vdekur së paku 13 persona dhe rreth 80 të tjerë janë lënduar.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi terrorist “Shteti Islamik”. /21Media