Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, - Foto: KALLXO.com

KOMF Kërkon Buxhet nga Qeveria për Mbështetjen e Fëmijëve

Drejtoresha ekzekutive e KOMF Donjetë Kelmendi tha se 22 organizata joqeveritare janë bërë bashkë për të ngritur zërin për të drejtat e fëmijëve. Grupi ka përgatitur dokumentin me kërkesa dhe rekomandime për qeverisjen e re.

“Kërkesa dhe rekomandimet që janë në kuadër të këtij dokumenti kanë të bëjnë në përgjithësi me fushën e mbrojtjes e të drejtave të fëmijëve dhe janë të ndara sipas fushave duke përfshirë sektorin e arsimit, sektorin mbrojtjes së fëmijëve dhe mirëqenies së fëmijëve, sektorin e shëndetësisë, po ashtu dhe investimet në fëmijë dhe buxhetin sa i përket mbrojtjes së fëmijëve”, tha ajo.

Ndërsa, Alketa Laska, zëvendësdrejtoreshë e “Terre des hommes”, tha se cilado Qeveri që të zgjidhet duhet të ndajë buxhet për fëmijët në mënyrë që shërbimet ndaj tyre të mos mungojnë.

“Ajo se çfarë specifikisht ne i kërkojmë kandidatëve për kryeministër është që të ndahet buxheti përkatës për këtë projektligj, i cili do të rregullonte sistemin për mbrojtjen e fëmijëve si dhe do të siguronte edhe përfitimin e shërbimeve për të gjithë fëmijët në Kosovë”, tha Laska.

Petrit Tahiri nga OJQ “Kosovo education center” tha se për qeveritarët e ardhshëm kanë dy kërkesa kryesore për fëmijët: përfshirja në arsim dhe ngritja e cilësisë së arsimit.

Donjetë Kelmendi përmendi edhe sektorin e shëndetësisë, me ç’rast si rekomandim drejtuar qeverisë së ardhshme theksoi edhe sistemin e shëndetësisë, duke kërkuar që në të ardhmen të mos ketë mungesë të barnave, sidomos në repartin e fëmijëve, ku, sipas saj, një mungesë e tillë mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Në këtë drejtim, Kelmendi kërkoi që të krijohen kapacitetet vendore në mënyrë që për shërbime mjekësore të mos ketë nevojë që fëmijë të dërgohen jashtë vendit për shërim.

Sipas KOMF, 1 në 5 fëmijë në Kosovë jeton në varfëri, 10.7% e fëmijëve janë të përfshirë në punë, 6.8% punojnë në kushte të rrezikshme.

Po ashtu, sipas të dhënave të grupit të OJQ-ve, 61.4% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë psikologjike dhe fizike dhe vetëm 3.5 % e fëmijëve deri në 5 vjeç e ndjekin arsimin parashkollor. Kurse, 90% e fëmijëve më aftësi të kufizuara nuk kanë qasje në shërbime cilësore, arsimore, shëndetësore dhe sociale.