Mbi 300 fëmijë viktima të dhunës në shkolla

‘Dhuna në shkolla’, ka qenë temë e diskutimit në emisionin #KallxoPernime.

Në dy muajt e parë të vitit 2023 sipas policisë së Kosovës janë shënuar 92 raste të dhunës në shkolla.

Në nivel vendi janë mbi 1 mijë shkolla dhe sipas kësaj statistike, del që 10% e këtyre shkollave në dy muajt e parë të vitit kanë pasur incidente të dhunës.

Nga këto raportime, në Policinë e Kosovës janë edhe 6 ngacmime seksuale.

Të dhënat nga policia tregojnë që gjatë vitit 2022, janë raportuar 600 incidente të dhunës, 14 prej të cilave kanë qenë me armë zjarri.

Vehbi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë ka thënë se pas dhunës në familje, dhuna në shkolla është sfida më e madhe për këtë Qendër.

Mujku ka shtuar se nuk e mban mend që ka pasur ndonjëherë kaq shumë raste të dhunës në shkolla.

“Jo vetëm dhuna fizike, psikologjike por edhe ajo seksuale. Vetëm gjatë vitit 2022 ne si Qendër kemi pasur 450 raste të të miturve, pra vetëm në kryeqytet, ku 70% e këtyre rasteve të dhunës janë nëpër shkolla. Raste që i trajtojnë” – ka thënë Mujku.

Ai ka thënë gjithashtu se këto raste janë të rënda pasi që është dashur të intervenojë edhe Qendra për Punë Sociale.

“Pothuajse çdo ditë jemi nëpër shkolla duke i trajtuar këto raste, kryesisht kemi të bëjmë me rrahje mes nxënësve, përdorimi i substancave narkotike, përdorimi i thikave, përdorimi i armëve”- ka thënë me tej Mujku.

Sipas tij këta fëmijë vijnë nga familjet e shtresës së mesme dhe të lartë.

“Këtyre fëmijëve ju mungon kujdesi prindëror, kjo është sfida më e madhe për ne si Qendër, mungesa e kontrollimit të çantave të gjepave, etj. Ne kemi vërejtur që grupe të caktuara të nxënësve vinë në shkollë po nuk hynë në mësim, mbledhen afër shkollës dhe përdorin edhe cigare hashish dhe shkojnë vetëm në orën e dytë”- ka thënë më tej ai.

Mujku ka shtuar se janë punësuar edhe 25 psikologë shkollor nëpër shkolla të kryeqytetit.

“Prej këtyre psikologëve s`po presim ndonjë gjë të madhe sepse janë të gjithë pa përvojë, posa kanë diplomuar’’, tha Mujku.

Merita Jonuzi nga MASHT, tha se faktori familje ndikon që këta fëmijë të jenë të tillë.

“Nuk përjashtohet që edhe faktori shkollë të jetë motivues ose gjenerator i dhunës por ne si ministri e kemi për mandat hartimin e politikave në parandalim dhe reagim, me kriju sistem efikas të raportimit, me zhvillu materiale didaktike, etj.”, ka thënë Jonuzi.

Ajo ka shtuar se në MASHTI nuk raportohen rastet e dhunës, më shumë sipas saj raportohen në polici dhe në Qendrën për Punë Sociale.

Jonuz Salihaj, njohës i arsimit ka thënë se problemi kryesor i kësaj çështjeje është pikërisht që institucionet nuk bashkëpunojnë.

“Janë shkëputur hallkat, psh MASHTI është hallkë e këputur me drejtori të arsimit nëpër komuna sepse tek ne procesi i decentralizimit tek ne keqkuptohet sepse komunat ndonjëherë e marrin si diçka të huaj kur të vjen nga MASHTI”- ka thënë Salihaj.

Ai ka thënë më tej se drejtori i shkollës duhet të dijë çdo gjë për secilin mësimdhënës po ashtu edhe për nxënësit.

“Drejtori i shkollës është alfa dhe omega, ai duhet të dijë secilin CV të secilit mësimdhënës, fëmijët pastaj duhet ta kenë kujdestarin e klasës, i cili duhet të konsiderohet si prind i dytë dhe i cili duhet të dijë çdo gjë për paralelen e vet”- tha më tej Salihaj.

Ai ka kritikuar MASHTI-n që nuk e paguan orën e kujdestarisë.

“MASHTI nuk qet pare, mësimdhënësit e mbajnë orën shkel e shko. Duhet me ekzistu një plan i orës së kujdestarisë, i cili diskutohet me kolegë dhe i lihet një orë në muaj kujdestarit që të bisedoj me klasën e vet dhe ajo orë duhet të paguhet”- tha tutje Salihaj.

Salihaj ka shtuar se sipas hulumtimeve që kanë bërë, del që vetëm 18%, shkolla ndikon në shëndetin e fëmijës.

“Duhet me ditë prejardhjen e familjes sepse ne fëmijët kur i marrim në klasën e parë, 80% të personalitetit të tyre është i formuar. Ai fëmijë që u eduku në suaza të dhunës, psh e rrahin prindërit ai e shpërfaqë dhunën në mënyrë shumë më të madhe tek nxënësit e tjerë”- tha Salihaj.

Nxënësit qesin haraç në shkolla

Jonuz Salihaj, njohës i arsimit, në emisionin #KallxoPernime ka thënë se nxënësit u qesin haraç atyre që janë shembullorë.

Ai ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për heqjen nga plan-programi të orës së kujdestarisë.

“Dukuria e haraçit është jashtëzakonisht e përhapur në shkolla. Fëmijët më të mirë, më të dëgjueshëm, shantazhohen duke u thënë: Ti çdo ditë ke me m’i sjell mua nga 5 euro, nëse nuk m’i sjell të pret thika”- ka thënë Salihaj.

Merita Jonuzi nga MASHTI, ka thënë se ora e kujdestarisë është futur në plan të këtij dikasteri që të paguhet.

“Është në proces grandi specifik i arsimit sepse rishikohet vazhdimisht”- tha Jonuzi.

Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj, ka përmendur rastin e vrasjes së një nxënësi në një shkollë në Mitrovicë në vitin 2014.

“Ajo shkollë ka pasur kamera, se këta në Prishtinë mendojnë që i kanë instalu kamerat e tash dhuna ka me u hek. Aty ka pas kamera kur u vra ai 20 vjeçari me thikë”- ka thënë tutje Salihaj.

Ndryshe në fillim të 2014-s, një nxënës i shkollës së mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë kishte vdekur nga plagët e shkaktuara me thikë.

Viktima ishte nxënës i klasës së 13-të.

Lidhur me këtë rast ishte arrestuar një person i dyshuar, po ashtu nxënës në këtë shkollë, nga i cili ishte konfiskuar një armë e ftoftë thikë, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Policia e Kosovës.

“Sipas hetimeve preliminare dyshohet se deri te incidenti ka ndodhur si pasojë e një zënke ndërmjet personave të përfshirë në këtë rast, ngjarje kjo e ndodhur brenda hapësirave të shkollës”- thuhej në njoftim.

Donjeta Kelmendi nga KOMF, ka thënë se numri i rasteve të dhunës në shkolla është shumë më i madh se sa ai që raportohet në polici apo në Qendrën për Punë Sociale.

“Rastet që raportohen në polici janë raste që kanë eskalu, janë raste shumë më të rënda që shpesh dinë të përfundojnë edhe me fatalitet. Dhuna duhet të adreshet në mënyrë afatgjate me një strategji shtetërore me investime për me parandalu dhunën. Dhuna nuk adresohet me veprime ad-hoc”- tha Kelmendi.

Kelmendi ka shtuar se sipas raportit ‘MIX’ që është bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës së bashku me UNICEF-in, 72% e fëmijëve që kanë qenë pjesë e këtij hulumtimi, kanë deklaruar që rriten, edukohen nga familjet me forma të dhunës.

“Kjo statistikë është alarmante, që flet që fëmijët tanë edukohen përmes forave të dhunshme e ndëshkimeve të dhunës. Patjetër që këto sjellje do të transmetohen edhe në shkollë edhe në komunitet’’- tha Kelmendi.

Sipas saj duhet të punohet edhe me prindërit jo vetëm me fëmijët.

“Ka nevojë që me brezat e ri, me çiftet e reja të punohet në ngritjen e shkathtësive të tyre. E këto duhet t`i bëjnë institucionet shteterore”- tha më tej ajo.

Vlora Limani nga MD-ja, ka thënë se deri më tani ka pasur mungesë të vëmendjes së politikës në rastet e dhunës por edhe në shërbimet sociale.

“Tani na duhet vëmendja politike e nivelit lokal sepse qendrat për punë sociale janë qendra që janë themelu prej komunave dhe menaxhohen nga to”- tha Limani.

Vehbi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në komunën e Prishtinës ka thënë se vetëm në vitin 2022 kjo qendër ka ofruar 43 mijë shërbime.

“Këto shërbime janë ofruar për 70 lloje të klientëve, përfshirë edhe asistencën sociale edhe aftësinë e kufizume, strehimin familjar dhe të gjitha rastet me të cilat ne merremi”- ka thënë Mujku.

Që nga viti 2013, komuna e Prishtinës nuk ka marr asnjë punëtor social në punë deri tash.

“Tash do ta ndërtojmë objektin e ri por një problem me të cilin po përballemi është migrimi. Njerëzit që vijnë nga vendet rurale kanë problem ambientimin, nuk pranohen mirë në shoqëri prandaj po ndodh edhe dhuna në shkolla”- tha Mujku.

Jonuz Salihaj që një kohë ishte drejtor i Arsimit në komunën e Prishtinës, ka kritikuar udhëheqësit e këtij dikasteri që kanë ardhur pas tij, duke thënë që nuk e dinë mirë as sa shkolla ka kjo komunë.

“Drejtori komunal i Arsimit duhet me ditë çdo gjë se çka po ndodh nëpër institucione shkollore të komunës përkatëse.

“S’ka pas shkollë që se kam shkel unë çdo javë. Qysh e kem situatën tash e dini, as nuk i dinë shkollat ku janë tash ata që janë udhëheqës dhe s’kanë me mujt me i vizitu asnjëherë”- tha Salihaj.

Ai ka thënë se dhuna ka shënuar rritje alarmante.

“Vetëm në një komunë kemi 300 raste janë vetëm në komunën e Prishtinës, ndërsa në vitin 2014 në krejt Kosovën kanë qenë 567 raste të dhunës në shkolla. Pra këtu kemi dyfishim, trefishim të këtyre rasteve”- shtoi më tej ai.

Vehbi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë ka folur rreth parandalimit të dhunës në shkolla.

Ai ka treguar për dy raste të ngacmimeve seksuale në shkolla.

“Kur ministrja ka qenë drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, në dy raste ka qenë prezente kur kemi punuar edhe pas orarit të punës. Profesorët kanë qenë të dyshimtë. S’kemi lënë afrim mes personelit shkollor dhe familjeve të vajzave. Me automatizëm është arrestuar, është suspenduar mësimdhënësi dhe ai më nuk punon në arsim”- ka thënë më tej Mujku.

Ngacmimet seksuale në shkolla

Ndërsa për 2 muaj, janë raportuar 6 raste të ngacmimeve seksuale në shkolla.

Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit ka thënë se në sistemin e këtij institucioni figuron vetëm 1 rast. “Meqë nuk po raportohen në SMIA, ne po dalim në terren për të përcjellë gjendjen nga afër”- ka thënë Jonuzi.

Njohësi i arsimit, Jonuz Salihaj, ka treguar për një rast pedofilie, në kohën sa ai ishte drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Salihaj ka thënë se këtë profesor e kishte suspenduar menjëherë.

“Ishte profesor i edukatës fizike, e kishte ngacmuar seksualisht një vajzë. Thash po e marr rrezikun tim dhe e kam suspenduar. Ka ndejtë 1 vit në shtëpi por gjykata e ka kthyer përsëri në punë, ndonëse ka pasur prova, por gjykatës s’ju kanë dukur ato prova”- ka thënë Salihaj.

Ai ka treguar që pas kësaj e kishte takuar këtë mësimdhënës në një varrim.

“M’u afrua ngat e më tha: M’ke pasë qitë prej punës por unë jam kthyer”- ka rrëfyer Salihaj.