Gazetarja e KALLXO.com, Emirjeta Vllahiu, merr çmimin nga KOMF për raportim pvr të drejtat e fëmijëve. Foto: Kallxo.com

Tri storje të mbështetura nga BIRN fitojnë çmime gazetareske për të drejtat e njeriut në Kosovë

Tri storje të mbështetura nga BIRN kane fituar sot çmime gazetareske në garën e shpallur nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fvmijëve (KOMF)

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë në bashkëpunim me forum ZFD dhe Qendrën për Arsim të Kosovës përmes projekteve EIDHR të financuara nga Bashkimi Europian dhe të menaxhuara nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetari në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë

Drejtoresha e KOMF, Donjeta Kelmendi, me këtë rast tha se gjithmonë kanë pasur aleatë dhe krah shumë të fortë, mediat dhe gazetarët.

“Pa përkrahjen e mediave nuk do të kishim rezultatet që kemi arritur si koalicion deri tani. Është sfidë që të raportohet për çështje sociale duke marr parasysh ngjarjet politike në vend. Këtë vit ka pasur konkurrencë sikur vitet e kaluara. Presim që viti 2019 të jetë me bashkëpunime edhe më të madha se vitet e kaluara”, tha Kelmendi.

Zëvendësshefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Libor Chlad tha se është nder për të prezenca në ceremoninë ndarjes së çmimeve.

“BE ka qenë donatori kryesor në vitet e fundit në Kosovë për të avancuar në disa sektorë. Ne jemi për të ngritur kualitetin e jetës në të ardhmen këtu. Duhet të kemi mbështetje ndaj fëmijëve. Kemi konkluduar se siguria është parësore por edhe buzëqeshja e tyre. Nuk është lehtë që këto të përfshihen të gjitha bashkë. Është e rëndësishme që kemi gazetarët që shkruajnë për problemet e fëmijëve”, tha ai.

Gazetarja e KALLXO.com, Emirjeta Vllahiu, ka fituar çmimin me artikullin “Shtesa prej 10 euro nuk mbulon shpenzimet esenciale për rritjen e fëmijëve” pas miratimit të rezolutës në Kuvendin e Kosovës pvr dhënien e 10 eurove në muaj për fëmijët e Kosovës të moshës deri 16 vjeç.

Artikulli tjetër i KALLXO.com i shpërblyer në këtë garë është artikulli i shkruar shkruar nga grup autorësh (Agnesa Çitaku, Ertan Galushi, Mergim Rudari, Fatjona Mani, Valon Fana) “Mes dëshirës dhe pamundësisë për shkollim” i cili ka qenë pjesë e një projekti të mbështetur nga Zyra e Përfaqësueses së Bashkimit Europian në Kosovë, i implementuar nga BIRN, për rritjen e bashkëpunimit mes gazetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Artikulli i kushtohet pamundësisë së fëmijëve romë, ashkali e egjiptas për ta ndjekur shkollimin.

Autorët e artikullit të botuar nv KALLXO.com “Mes dëshirës dhe pamundësisë për shkollim” marrin çmimin nga KOMF. Foto: Kallxo.com

Është shpërblyer edhe dokumentari televiziv “Ndëshkimi” i gazetarit të RTK-së, Festim Kabashi. Storja ka qenë pjesë e projektit të mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë që mëton të fuqizojë gazetarinë e pavarur dhe i implementuar nga BIRN dhe AGK. Dokumentari trajton dhunën që përjetojnë fëmijët brenda mjediseve familjare.

Storje tjera të shpërblyera në këtë garë janë edhe “Fëmija nënë” nga gazetarja e RTK-së, Kaltrina Rexhepi, dhe gazetarja e Koha Ditore, Edona Kutleshi me artikullin “Rrugës së rrezikshme malore për t’u shkolluar”.