Sesioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Kërcënimet nga Rusia Diskutohen në Asamblenë e NATO-s

Në Sesionin Vjetor të 62-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s ku do të diskutohet për kërcënimet e Rusisë dhe luftën kundër terrorizmit, është duke marrë pjesë edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës i drejtuar nga nënkryetarët Xhavit Haliti e Sllobodan Petroviq.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, pjesëmarrësve të këtij sesioni u është drejtuar ministri i Punëve të jashtme të Turqisë Mevlut Çavusoglu që ka folur për politikën e jashtme të Turqisë dhe sigurinë rajonale.

Në komunikatë thuhet se “delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të marrë pjesë edhe në mbledhjen e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri të AP të NATO-s, ku do të mbajë fjalë edhe komandanti i përgjithshëm në Ushtrinë Amerikane-gjeneral-lejtnanti Ben Hodges”.

Sesionit të i62-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që do të zgjasë katër ditë, pritet t’i bashkohen edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“Parlamentarët nga vendet e NATO-s pritet t’i vlerësojnë përgatitjet e Aleancës për rritjen e prezencës së saj ushtarake në Shtetet Baltike dhe Poloni, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Rusisë dhe për zhvillimin e mënyrave për ta mposhtur terrorizmin në vend dhe në Lindjen e Mesme,” thuhet në një komunikatë të kësaj asambleje.

“Anëtarët e Asamblesë janë të vendosur për t’i bërë thirrje NATO-s që të qëndrojë e bashkuar në mbrojtje të aleatëve në kufi me Rusinë, pasi që qëndrimi i saj luftënxitës i vazhdueshëm po shkakton shqetësime,” shpjegon më tutje komunikata.

Po ashtu parlamentarët nga vendet e NATO-s do të diskutojnë për situatën në Siri, Irak, Afganistan si dhe për t’i ndihmuar vendet e goditura nga vala  e refugjatëve.

Asambleja Parlamentare e NATO-s më 22 tetor zhvilloi në Prishtinë Seminarin e 93-të Rose-Roth, ku u fol rreth perspektivës euroatlantike të Kosovës.

http://kallxo.com/sot-seminari-per-rrugen-euroatlantike-te-kosoves/