Radovan Karaxhiq në sallën e gjyqit. Foto: ICTY

Karaxhiq Kërkon ‘Skype’ në Qelinë e Burgut

Theodor Meron, kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, tha të martën se i ka kërkuar sekretarit të Gjykatës së OKB-së t’i japë atij informacione rreth krijimit të një sistemi të sigurt për komunikimin me video në internet midis njerëzve brenda njësisë së paraburgimit dhe atyre jashtë, pasi Radovan Karaxhiq kërkoi një lidhje me “Skype” në paraburgim.

Karaxhiqi paraqiti kërkesën e tij të parë që të lejohej të komunikonte me familjen e tij nëpërmjet “Skype” në pranverën e këtij viti, por kryesekretari e hodhi poshtë kërkesën e tij, duke thënë se aplikacioni i komunikimit me video nuk ishte mjaft i sigurt.

Ish-kryetari i serbëve të Bosnjës më pas e apeloi vendimin.

Zyra e Kryesekretarit tha se po shqyrtonte mundësi të ndryshme për një sistem të sigurt të komunikimeve me video dhe se kishte organizuar takime me Qeverinë norvegjeze, e cila kishte një program për transmetimin e gjyqeve dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili kishte një sistem komunikimi për të ndaluarit.

Meron i dha kryesekretarit afat deri më 12 gusht për të kryer kontrollet dhe për t’i dhënë atij informacionet e nevojshme për të marrë një vendim mbi kërkesën e Karaxhiqit.

Meron tha megjithatë se në parim, ai mendon se “Skype” duhet t’i vihet në dispozicion të burgosurve në Hagë.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Hagës e dënoi Karaxhiqin me 40 vjet burg pasi e shpalli atë fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, persekutimin e myslimanëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Megjithatë, ai u lirua nga akuzat për gjenocid të kryer në disa komuna boshnjake më 1992.

Karaxhiq më pas apeloi në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili u krijua për të përfunduar punën e Gjykatës së Hagës pasi ajo të mbyllet në fund të vitit 2017.

Prokuroria e Hagës paraqiti gjithashtu një apel, duke kërkuar që Karaxhiq të shpallet fajtor për gjenocid në vitin 1992.

Vendimi i shkallës së dytë pritet të jepet vitin e ardhshëm.