Vjerica Radeta, njëra nga tre të kërkuarit | Foto: Partia Radikale Serbe

Interpoli 'Njoftime të Kuqe' për Radikalët Serbë

Interpoli ka lëshuar “njoftime kuqe” – gjëja më e afërt me një urdhër arresti ndërkombëtar për anëtarët e Partisë Radikale Serbe Petar Jojiç, Jovo Ostojiç dhe Vjerica Radeta, tha të premten Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Ata akuzohen për shpërfillje të gjykatës, për ndërhyrje te dëshmitarët gjatë gjyqit të liderit të tyre, Vojisllav Sheshel, i cili u lirua nga akuzat për krime lufte vitin e kaluar, edhe pse çështja e tij tashmë ka kaluar në apel.

“Petar Jojiç, Jovo Ostojiç dhe Vjerica Radeta janë akuzuar për shpërfillje të gjykatës dhe se dyshohen se kanë kërcënuar, kanosur, ofruar ryshfete, ose ndryshe kanë ndërhyrë tek dy dëshmitarë në gjyqin kundër Vojisllav Sheshelit dhe një çështjeje mospërfilljeje kundër tij”, tha në një deklaratë  Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Njoftimet hynë në fuqi të premten, tha deklarata.

Serbia ka refuzuar t’i ekstradojë ata në Hagë, pasi Gjykata e Lartë e Beogradit vendosi se autoritetet serbe mund të arrestojnë vetëm njerëz që kërkohen nga Gjykata e Hagës që akuzohen për krime lufte, gjenocid ose krime kundër njerëzimit.

“Ne duhet të respektojmë vendimin e gjykatës së Beogradit, pavarësisht nëse ai na pëlqen apo jo,” tha zëvendëskryeministri i Serbisë Rasim Ljajiq për mediat të martën.

“Ne nuk mund të sillemi si duam, nëse duam të respektojmë parimet demokratike,” tha Ljajiq, i cili është gjithashtu kreu i Këshillit të Serbisë për Bashkëpunim me Gjykatën e Hagës.

Qeveria serbe ka cituar gjithashtu arsye sigurie për mosarrestimin e tre radikalëve, duke sugjeruar se arrestimi i tyre do të shkaktonte trazira në vend.

Radeta është një deputetet në parlamentin serb, njësoj si edhe lideri i saj Shesheli, i cili po kandidon gjithashtu në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të dielën në Serbi.

Radeta reagoi në Twitter të martën për të tallur lajmërimin e Interpolit.

“Pasi Shesheli të bëhet president në raundin e dytë të zgjedhjeve, ai do të më falë mua dhe Jojiçin, kështu njoftimet e kuqe të Interpolit nuk do të kenë rëndësi,” tha ajo.

Gjykata e OKB-së nxori urdhër-arrestime për Jojiçin, Ostojiçin dhe Radetën tetorin e kaluar.

“Gjykata e OKB-së e ka ngritur vazhdimisht këtë çështje në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara dhe Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,” thuhej në deklaratën e saj.

“Së fundmi, në një letër që mban datën 1 mars 2017, kryetari i gjykatës, Carmel Agius, i bëri thirrje Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara të garantojë dhënie llogarie, të parandalojë mosndëshkimin dhe të marrë masat e nevojshme për të siguruar bashkëpunimin e Serbisë me urdhrat e Gjykatës, në përputhje me detyrimet e saj, dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të sigurojnë arrestimin dhe transferimin e të akuzuarve,” vazxhdoi deklarata.

Të tre radikalët e kërkuar kanë thënë se nuk do të shkojnë vullnetarisht në Hagë për t’u përballur me akuzat.

Shesheli ka refuzuar gjithashtu të rikthehet në Hagë që kur ai u lirua për t’u kuruar nga kanceri në vitin 2014 dhe nuk ishte i pranishëm në gjykatë për të dëgjuar vendimin për gjyqin e tij.