Gjykimi i Fidan Gashit për vrasje - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për vrasje me probleme në të folur, dështon seanca

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të pandehurit Fidan Gashi, i akuzuar për vrasje.

Shkaku i mosmbajtjes së seancës ishte se i akuzuari kishte ngecje në të folur dhe ishte e pamundur të kuptohej.

I njëjti gjendet në paraburgim nga data 21 shkurt 2018.

Në sallë ishte ftuar edhe profesori i Defektologjisë, Mazllom Karamani, i cili tha se i akuzuari nuk e ka shkollën e kryer dhe nuk e kupton gjuhën e shenjave. Prandaj, nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve që i parashtrohen.

Pas propozimit të mbrojtjes, Gjykata bëri përpjekje edhe përmes nënës së tij. Mirëpo, ishte e pamundur që të kuptohej deklarimi i tij.

Mbrojtësja e të akuzuarit, Blerina Kurtaj, tha se i propozon Gjykatës së klienti i saj të dërgohet në ekzaminim psikiatrik apo në ndonjë institucion ku do të vërtetohet aftësia e tij për të kuptuar, “e po ashtu që të na mundësohet edhe neve që t’i kuptojmë deklarimet e tij”.

Prokurori Agron Matjani e kundërshtoi propozimin e mbrojtëses, “sepse i akuzuari Fidan sot në seancë ka deklaruar se si i ka rënë shuplakë në fillim dhe pastaj ka marrë një dru i cili i ka rënë mbrapa kokës së Ajnes, andaj me këtë deklaratë i njëjti ka dëshmuar se ka qenë në natën kritike dhe si pasojë e njëjta ka vdekur”.

Në pyetjen e gjyqtarit Nikollë Komani për të akuzuarin se a e pranon fajësinë, edhe pse ishte e vështirë të kuptohej deklarimi i tij, i akuzuari tha: “Betohem në Zot se nuk kam faj, fajet i ka Ajna”.

Sipas aktakuzës, Fidan Gashi më 16 shkurt të këtij viti në fshatin Rogovë të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën Ajnishah Bytyqi, në atë mënyrë që në natën kritike, rreth orës 01:00 pas mesnatës, duke shfrytëzuar anët e fshehta hyn në shtëpi të viktimës dhe pas një fjalosjeje e godet viktimën me shuplakë e më vonë edhe me dru të shkurtër në pjesën e sipërme të kokës, ashtu që e njëjta bie në tokë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari duke dashur që t’i fshehë gjurmët e vendos viktimën në një divan në dhomë e mbulon me batanije dhe për të qenë i sigurt se ka vdekur e shtrëngon me një kabllo në qafë dhe pastaj largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale të vrasjes.

Seanca e radhës do të mbahet me 18 qershor.