Forumi i Nivelit të Lartë - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Do ta Rrisim Koeficientin e Menaxhimit të Përgjegjshëm të Parasë Publike

Kryeministri Ramush Haradinaj është angazhuar për ndërtimin e një Kosove që është e përgjegjshme karshi parasë publike dhe parasë së donatorëve

Gjatë takimit të Forumit të Nivelit të Lartë, i cili po organizohet nga Ministria e Integrimit Europian, Haradinaj tha se Kosova u është mirënjohëse partnerëve ndërkombëtarë për përkrahjen, duke shtuar se synimi i Qeverisë është që vendi të bëhet jo vetëm absorbues të përkrahjes, po edhe partner në regjion.

“Kosova ka me rritë koeficientin e menaxhimit të përgjegjshëm të parasë publike”, premtoi shefi i Qeverisë.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova tha se Bashkimi Europian vazhdon ta përkrahë Kosovën që është një demokraci e re.

“Jemi duke asistuar Kosovën në implementimin e MSA-së dhe Kosova ka edhe partnerë të tjerë që e ndihmojnë”, tha Apostolova.

Fokusi i Zyrës së BE-së, sipas Apostolovas, në ditët dhe muajt në vijim do të jenë drejtësia, luftimi i krimit e korrupsionit dhe agjenda euro-atlantike.

Ndërsa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie, tha se duke shikuar në këtë sallë sheh që Kosova ka shumë miq.

“Jemi këtu për të mbështetur qeverinë tuaj, por fundja ky është vendi juaj”, theksoi ambasadori amerikan.

Ky takim, shtoi ambasadori Delawie, është shumë i rëndësishëm, por do të përqendrohemi në dy prioritete: sundimin e ligjit dhe edukimin.

“Sundimi i ligjit mund të ju duket shumë e zakonshme. Duhet të merrni vendime, ne do t’ju mbështesim. Por jeni ju që duhet të merrni vendimet.

Ka ardhë koha që të çoni para ligjin për prokurorin disiplinor”, theksoi ambasadori i ShBA-së.

Sa i përket edukimit, Greg Delawie tha se duhet depolitizim në shkolla, “jo veç në mësimdhënës por edhe në drejtor”.

“Reforma duhet të vazhdojë. Duhet zbatimi i ligjit të arsimit para-universitar, jo familjarizëm e nepotizëm. Ky është vendi juaj!”, tha Delawie.

Ndërsa, nikoqirja e këtij takimi, ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, paraqiti raportin vjetor të donacioneve për vitin 2016.

Sipas ministres, vlera e donacioneve ishte 164 milionë euro dhe donatorët kryesorë ishin BE, ShBA, Zvicra e Gjermania.

Ndërsa, sektorët kryesorë që u mbështetën nga këto donacione ishin qeverisja dhe shoqëria civile, arsimimi, ujërat e zeza dhe mbështetja për bizneset.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se jemi në një proces shumë dinamik në hartimin e legjislacionit.

“Jemi në fazën përmbyllëse të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës. Projektligjin për Prokurorin e Shtetit. Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, tha ministri Tahiri.