Foto: RTV 21

Haradinaj i Kërkon Ramës të Merret me Punët e Shtetit të Tij

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për disa deklarata të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se ky i fundit do ta ndihmojë Kosovën më së miri vetëm duke e zhvilluar fort Shqipërinë.

“I kam thënë vëllait tim Edi Ramës në bisedë, ne mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam, me i dhënë ide e me i treguar qysh me i bë punët e shtëpisë, por më së miri që Edi Rama e ndihmon Kosovën është me zhvilluar fort Shqipërinë”, tha Haradinaj në Mitrovicë, ku qëndroi për “Javën e Minatorëve”.

Haradinaj më tutje deklaroi se sikur Shqipëria të ishte anëtare e BE-së, do të ishte shumë mirë për Kosovën.

“Me pas qenë Shqipëria anëtare e BE-së sot, sa mirë kishte me qenë për ne, sepse u kishin vënë kushte atyre të tjerëve duke thënë pa u sjellë mirë me Kosovën, nuk ecën përpara”, ka thënë Haradinaj.

Ai i sugjeroi Ramës që të merret me punët e shtetit të tij.

Rama kohë më parë ka deklaruar se ishte Haradinaj ai i cili shpiku çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke konstatuar se demarkacioni do të duhej të votohej me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro – atlantike të këtij vendi.

Haradinaj qëndroi në Mitrovicë ngase nën patronatin e tij po zhvillohet “Java e Minatorëve”, manifestimi me të cilin kujtohet greva e punonjësve të “Trepçës” në vitin 1989 për mbrojtjen e autonomisë së atëhershme të Kosovës.