Pjesëtarët e TMK-së Marrin Rritjen e Pensioneve

726 pjesëtarë që kanë shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) nga 27 nëntori i vitit 2012 kanë marrë pensionet me rritje prej 26.25 për qind.

Në bazë të një vendimi që ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës, më 11 nëntor të këtij viti, ish-pjesëtarët e kësaj trupe do të marrin pjesën e mbetur të lartësisë së rritjes prej gjithsej 40 për qind të pensioneve të tyre prej 1 janarit 2013.

Të gjithë këta pjesëtarë të TMK-së i kanë marrë pensionet në mënyrë retroaktive për periudhën nga 1 janari 2012 deri më tash.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës ishin shpërbërë më 21 janar 2009. 1463 pjesëtarë të kësaj trupe nuk ishin përfshirë në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Safet Syla, drejtuesi i Zyrës për Trashëgiminë e TMK-së, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka thënë gazetës se rreth 2 milionë e 500 mijë euro kanë qenë të rezervuara nga kjo zyrë për ish-pjesëtarët e TMK-së.

“Për vitin 2012 ka qenë e planifikuar kjo shumë, por edhe për vitin 2013 do të ketë mjete të mjaftueshme për realizimi e këtij vendimi”, tha Syla për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, vendimi është marrë në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe atë të Financave, duke u bazuar në ligjet përkatëse. Kjo rritje, tha ai, nuk do ta rëndojë buxhetin e Kosovës.

“Me një vullnet politik, por edhe me një buxhet të mjaftueshëm si dhe me harmonizimin e ligjeve, qeveria ka marrë vendim për rritjen e pensioneve”, tha Syla.

Të gjithë këta pjesëtarë pensionet do t’i marrin sipas gradave ushtarake që kanë pas, gjatë kohës sa kanë qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Kemajl Shaqiri (58) nga Skenderaj, është njëri prej ish-pjesëtarëve të TMK-së, i cili ka pasur fatin ta gëzojë rritjen e pensionit të tij.

Ai ka treguar se nga viti 1999 deri në vitin 2006 ka qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Para një viti ai kishte dalë në pension.

“Shtatë vite kam qenë pjesë e TMK-së, kam shërbyer si nënkolonel i qendrës operative”, tha Shaqiri.

Pensioni që do të marrë Shaqiri kap shumën e 280 eurove.

“Po, pensionet kanë dalë. Ne jemi shumë të kënaqur me vendimin që ka ardhur nga Qeveria e Kosovës”, tha Shaqiri. “Kjo është një rrogë mesatarisht e mirë”.

Ai tash është shef i emigracionit në zyrën e cila funksionon brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Shaqiri për 30 vite kishte jetuar në Kroaci, deri në vitin 1998 kur edhe ishte bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në zonën e Dukagjinit, duke kaluar më pastaj në atë të Drenicës.

Por, fatin e Kemajl Shaqirit nuk e kanë pasur edhe rreth 650 ish-pjesëtarë të TMK-së, të cilët kanë mbetur të pasistemuar për shkak të moshës se re.

“Prej 1463 trupave sa kishin mbetur jashtë FSK-së, tash 650 prej tyre janë të papunë dhe pa pensione”, tha Safet Syla drejtuesi i Zyrës për Trashëgiminë e TMK-së.

“Me ligjin për pensionim të pjesëtarëve të TMK-së, përfshihen vetëm ata që kanë mbushur 45 dhe 50 vjet”.

Sipas ligjit, personat që kanë moshën 45 vjeçare, marrin 50 për qind të pensionit, ndërsa ata që kanë  50 vjet, marrin 70 për qind.

Syla tregon se për të gjithë pjesëtarët që nuk i kanë plotësuar kriteret për pensionim të parakohshëm dhe për ata të cilët nuk kanë gjetur vende pune, zyra që ai drejton punon vazhdimisht për t’i sistemuar, në mënyrë që, sipas tij, të zbutet numri i të papunëve.

“Në momentin që njëri nga këta pjesëtarë i plotëson kushtet për pensionim, siç është mosha, ai menjëherë do të marrë pensionin me 40 për qind rritje”, tha Syla.