Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Ndërmjetësimi-Zgjidhja e Shpejtë e Problemeve të Vogla (TV)

Ndërmjetësimi si formë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve civilo dhe penalo-juridike tani më është funksional në gjashtë qendra të Kosovës, ndër të cilat si më efikasja përgjatë 2013-ës është dëshmuar ajo në Gjilan, kurse më pasivja ajo në Ferizaj. Me ndërmjetësim mund të zgjidhen mosmarrëveshje dhe shkelje ligjore të natyrave të ndryshme, të dënueshme deri në tre vjet.

Kompania ndërtimore “KAP Përparimi” në vitin 2008 ka qenë viktimë e një vjedhjeje, pasi njerëz të panjohur kanë hyrë në hapësirat e kësaj kompanie dhe kanë vjedhur shina transportieri.

NDËRLIDHUR

Për këtë krim policia si të dyshuar i ka cilësuar dy roje të kompanisë edhe përkundër faktit që udhëheqës të kompanisë, në këtë rast pala e dëmtuar kanë qenë të sigurt se rojat nuk kanë qenë vjedhësit.

Lënda për këtë vjedhje ka filluar të procedohet Gjykatën Themelore të Prishtinës tek në vitin 2013.

Qerim Berisha menaxher i kësaj kompanie tregon për Gazetën Jeta në Kosovë se seanca e parë ishte shtyrë, njëjtë si e dyta dhe se në fund gjyqtarja u kishte rekomanduar Zyrën e Ndërmjetësimit.

“Brenda një dite e kemi përfunduar rastin këtu. Mund të them një orë, më shumë nuk ka zgjatur. Në fund përfundoi me marrëveshje që këta[rojat] të mos ndiqen as penalisht e as materialisht“, thotë menaxheri i Kompanisë “KAP Përparimi”.

Ndërsa kishte pritur tre vjet për fillimin e procedurës gjyqësore, ai shprehet shumë i kënaqur që një javë pasi gjykata i kishte referuar në ndërmjetësim, rasti është zgjidhur.

Në vitin 2008 për herë të parë në Republikën e Kosovës u institucionalizua Ligji për ndërmjetësim dhe si hap i parë për zbatimin e këtij ligji ishte themelimi i Komisionit për Ndërmjetësim i cili përbëhet prej: Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Odës së Avokatëve dhe Ministrisë për Mirëqenie Sociale.

Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, që realizohet nga një person i tretë(ndërmjetësi), për zgjidhje të mosmarrëveshjeve midis palëve.

Ndërmjetësi është pala e tretë dhe në mënyrë neutrale ndërmjetëson dy palët me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Fillimi i kësaj procedure bëhet gjithmonë duke marrë parasysh vullnetin e të dyja palëve, pra nëse njëra prej palëve nuk është dakord për këtë procedurë, ndërmjetësimi është i pamundur.

Të gjitha seancat e ndërmjetësimit janë konfidenciale, pra lidhur me rastin njohuri kanë vetëm palët dhe ndërmjetësi.

Kosova aktualisht funksionon me gjashtë qendra të ndërmjetësimit. Fillimisht në vitin 2012 janë hapur qendrat në Pejë, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj kurse gjatë 2013-ës filluan të funksionojnë dhe ajo e Prishtinës dhe Mitrovicës.

Të gjitha këto qendra janë themeluar me përkrahjen e USAID-it, UNDP-së dhe organizatës gjermane CSCP.

Rastet nëpër qendra referohen nga gjykata, prokuroria, ose nga vetë palët. Rastet me të cilat merret ndërmjetësimi janë civile, administrative, tregtare, familjare dhe penale, të dënueshme deri në tre vjet burg.

Rastet civile referohen nga gjykata. Kështu nëse gjyqtari vlerëson se kontesti mund të zgjidhet me ndërmjetësim ai ka të drejtë të plotë t’i udhëzojë palët për ndërmjetësim.

Te lëndët penale, të dënueshme deri në tre vjet burg, përcjellja e tyre  në qendër të ndërmjetësimit, bëhet nga prokurori përkatës i lëndës, i cili fillimisht duhet t’ia dorëzojë lëndën kryeprokurorit për miratim, para se t’i udhëzojë palët në ndërmjetësim.

Kjo ndodh meqë lëndët penale kanë natyrë më komplekse.

Ndërmjetësimi mund të përfundojë me lidhjen e marrëveshjes mes palëve, ndërsa në rastet kur marrëveshja nuk është arritur lënda kthehet në gjykatë.

 “Marrëveshja e arritur mes palëve nënshkruhet nga palët e ndërmjetësuesi dhe ka fuqinë e vendimit përfundimtar dhe është e detyrueshme. Ajo dërgohet në gjykatë që ta fitojë titullin ekzekutiv. “- tha Lindita Ademi, kryetarja e Komisionit për Ndërmjetësim, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjykata e vlerëson marrëveshjen dhe nëse ajo s’është lidhur në pajtim me ligjin, nëse janë cenuar të drejtat e palëve, ose zhdëmtimi është joproporcional në raport me dëmin e shkaktuar, gjykata nuk e aprovon atë dhe lënda kthehet në gjykatë.

Si rezultat i kësaj palët e humbin mundësinë për të shfrytëzuar shërbimin e ndërmjetësimit për çështjen e njëjtë.

Si përparësi të këtij mekanizmi, kryetarja e Komisionit për Ndërmjetësim, Lindita Ademi theksoi faktin se ndërmjetësimi është më i shpejtë, më pak i kushtueshëm dhe më transparent.

Shpejtësia e ndërmjetësimit lidhet me faktin se në ndërmjetësim parashihet një afat 90 ditor brenda të cilit duhet zgjidhur një kontest. Megjithatë në shumicën e rasteve ndërmjetësimi përfundon edhe brenda një dite.

Ndërmjetësimi është më pak i kushtueshëm, sepse shmang pritjet e gjata në gjykata, ku krijohen shpenzime të shumta procedurale, ndërsa është më transparent, pasi gjithçka bëhet ekskluzivisht me vullnetin e palëve

 “Nuk kemi dënime me burg, kjo është përparësia e këtij mekanizmi.”- tha Ademi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjatë vitit 2012 në ndërmjetësim janë referuar 178 raste,  prej të cilave vetëm 75 janë zgjidhur, kurse në 103 rastet tjera nuk është arritur marrëveshja, gjegjësisht rastet janë kthyer në Gjykatë.

Gjatë 5 mujorit të vitit 2013 janë iniciuar 92 raste prej të cilave 45 janë zgjidhur, për 19 nuk është arritur marrëveshja, kurse 28 janë ende në proces.

Përgjatë vitit 2012 Qendra e ndërmjetësimit e cila ka zgjidhur më tepër raste është ajo e Gjilanit, duke zgjidhur 36 prej 70 rasteve të referuara, kurse më pak raste janë referuar dhe zgjidhur në Qendrën e Ferizajt, ku janë zgjidhur vetëm 7 raste nga 16 të referuara.

“Ne si gjykatë gjithsej kemi referuar 16 raste ne Qendrën e Ndërmjetësimit. U kemi bërë edhe 400 ftesa palëve, mirëpo kemi pasur pengesa si psh në një kontest mund të kenë qenë palë 3-4 paditës dhe mjafton njëri prej tyre të mos pranojë, apo nuk janë pajtuar sepse s’ka qenë besimi i duhur që rasti i tyre të përfundojë në qendrën e ndërmjetësimit”.

Aktualisht në tërë territorin e Kosovës ka 99 ndërmjetës të licencuar. 

Për t’u licencuar si ndërmjetës përveç plotësimit të kushteve të përgjithshme për punësim, personi duhet të ketë diplomë universitare, të kalojë me sukses trajnimin për ndërmjetësim, të ketë ndërmjetësuar së paku gjashtë seanca nën mbikëqyrje, të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale me dashje, për të cilën parashihet dënimi mbi gjashtë muaj, si dhe të jetë i regjistruar në regjistrin e ndërmjetësve.

Palët vijnë në qendrën për ndërmjetësim dhe atyre u ofrohet regjistri i ndërmjetëseve dhe ata kanë mundësinë të zgjedhin ndërmjetësin ose dy të tillë sipas dëshirës së tyre.( pavarësisht prej cilit qytet).

Regjistri i ndërmjetësve përmban persona me profesione nga më të ndryshmet, pra edhe pse trajtohen lëndë juridike nuk është e domosdoshme që ndërmjetësi të jetë jurist.

Ndërmjetësuese është edhe Emine Ismajli, e diplomuar në Fakultetin Filologjik për Gjuhë dhe letërsi ruse.

Eminja merret me këshillim psiko-social dhe thotë se në Prishtinë licencimi i ndërmjetësve është bërë nga 26 shtatori 2011, kurse prej 2012-ës janë referuar raste. Dhe pse nuk ka pasur objekt të qendrës së ndërmjetësimit në atë kohë, rastet janë mbajtur diku tjetër.

Ajo na tha se gjithsej ka trajtuar dy raste të ndërmjetësimit dhe të dyja kanë përfunduar me marrëveshje.

Ismajli tha se në takimin e parë me palën asaj i shpjegohet ç’është ndërmjetësimi, parimet e ndërmjetësimit dhe se ka të drejtë të tërhiqet në çdo kohë.

“Këtu askujt nuk i imponohet zgjidhja”-tha ajo.

Gjatë seancave ata kanë mundësi ta dëgjojnë tregimin e njëri tjetrit dhe të zbulojnë pse kanë ardhur deri të konflikti. Këto seanca sipas saj përcillen me shpërthim emocionesh dhe palët u gjasojnë akrepave të orës, të cilët duke e dëgjuar njëri tjetrin afrohen.

“U shpjegohet që ndërmjetësi është aty vetëm për t’u ndihmuar që ta dëgjojnë njëri tjetrin. Ndërmjetësi u lehtëson procesin t’i shohin mundësitë më të mira për rastin e tyre, mirëpo ndërmjetësi nuk ofron zgjidhjen, nuk sjell vendime.”- tha Emine Ismajli.

 Lidhur me atë se sa janë të vetëdijshëm qytetarët mbi funksionimin e këtij mekanizmi, Lindita Ademi thotë se për promovim janë organizuar seminare, trajnime dhe debate të hapura me qytetarët, që kanë pasur mundësi direkt të njihen me këtë shërbim.

“Nuk mund të them se është arritur efekti i duhur që të përçohet mesazhi te qytetarët lidhur me përparësitë që ofron ky shërbim.”- tha ajo.

ETIKETA

06 Korrik 2013 - 11:32 am

Erlina Tafa, Gazmend Rexhepi 06/07/2013 - 11:32 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0