Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Mungon Produkti që Mpiks Gjakun te të Sëmurët me Hemofili B

Faktori IX- produkti medicinal që mundëson ngjizjen e gjakut për ta ndaluar gjakderdhjen te të prekurit me sëmundjen hemofilia B, është duke munguar në barnatoren qendrore në Prizren, edhe pse është në listën esenciale të barnave.

Të sëmurët me hemofili B që kanë vështirësi për mpiksje të gjakut dhe ndalim të gjakderdhjes, duhet ta marrin Faktorin IX që gjaku i tyre të ngjizet si te njerëzit tjerë.

Burim Rexhaj, njëri nga të sëmurët me hemofili B që thotë se për ta mpiksur gjakun e tij ka nevojë ta marrë pesë herë në muaj Faktorin IX, tregon se kjo substancë po mungon në Prizren.

Ministria e Shëndetësisë e ka obligim t’ua sigurojë këtë produkt të gjithë të prekurve nga kjo sëmundje, por shpesh ka vonesa në furnizim dhe nganjëherë edhe nuk ka fare furnizim me Faktorin IX.

Me këtë faktor barnatoret nuk janë furnizuar fare në nëntor.

Burim Rexhaj që jeton në Suharekë gjatë muajit nëntor vazhdimisht ka vizituar barnatoren qendrore në Komunën e Prizrenit, por gjithmonë është kthyer duarthatë.

“Ne duhet me pasë trajtim urgjent. Ne e marrin Faktorin IX, por herë pas here po ka vonesa në furnizim. Deri sa të vjen Faktori IX ne po duhet me marrë zëvendësim plazmën e freskët”,tregoi Rexhaj për KALLXO.com.

Ai bëri të ditur se kur ka Faktor IX, atë e merr nëpërmjet infuzionit në qendrën e mjekësisë familjare, e kur nuk ka, si zëvendësim duhet të marrë plazmë gjaku- një proces që kryhet në Klinikën e Hematologjisë.

Bukurije Zhubi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Qendrës Kombëtare Kosovare për Transfuzion të Gjakut thotë se plazma përveç që shtë zëvendësim për Faktorin IX, e ngarkon edhe organizmin e të sëmurit me hemofili B.

“Për të arritur sasinë e Faktorit IX të koncentruar, duhet sasi e madhe e plazmës, e që rrjedhimisht mund t’a stërngarkojë organizmin e pacientit me produkte tjera të plazmës të cilat nuk i ka mungesë pacienti”, shpjegoi Zhubi.

Muharrem Rama, drejtor i Barnatores Qendrore në Prizren e konfirmoi për KALLXO.com mungesën e Faktorit IX.

“Furnizimi i fundit ka qenë me datën 02.10.2017 me sasi 62 copë. Secili pacient i  merr personalisht dhe sasitë janë të përcaktuara sipas raportit të mjekut”, tha përmes postës elektronike Rama.

Rama bëri të ditur se më 16 nëntor kanë bërë kërkesë për furnizim me Faktorin IX dhe janë në pritje të ardhjes së furnizimeve.

“Kërkesat i bëjmë në formën standarde për secilin institucion shëndetësor dhe kopjet fizike të fletëkërkesave të nënshkruara dhe të firmosura i dorëzojmë në Barnatoren Qendrore të QKUK-së për të vazhduar procesimin e mëtutjeshëm”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë thotë se është tejkaluar kontrata për Faktorin IX dhe deri në kontraktimine ri nuk ka mundur t’i furnizojë barnatoret me këtë produkt.

“Produkti Factori IX plv per sol 500IU, është pjesë e Listës Esenciale, mirëpo nga të dhënat e gjetura, për shkak të tejkalimit të kontratës, ShSKUK nuk ka mundur të furnizohet deri në momentin e kontraktimit të ri”, thuhet në përgjigje të ministrisë.

Faik Hoti nga Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Shëndetësisë tregoi për KALLXO.com se kjo ministri me qëllim që të furnizojë sa më shpejt barnatoret me Faktorin IX, përveç kërkesës për kontraktim të rregullt ka nisur edhe procedurat për blerje emergjente.

“Kështu që pritet që ditët në vijim të ketë furnizim me procedurë të shpejtuar, duke vazhduar gjithashtu procedurat edhe për kontraktim të rregullt me qëllim që të sigurohet furnizimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm”, tha Hoti.

Por Burim Rexhaj, përveç për mungesë të Faktorit IX në barnatore, ankohet edhe për mbylljen e ambulancave të transfuzionit të gjakut.

“Ambulancat e transfuzionit të gjakut i kanë mbyllur para më shumë se një viti dhe ne po duhet me shku në spital me marrë plazmën dhe po na duhet me pritë 7 deri 8 orë deri sa po i marrim në repartin e Internos”, tha ai.

Por Bukurie Zhubi ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Qendrës Kombëtare Kosovare për Transfuzion të Gjakut thotë se ambulancat janë mbyllur për ruajtjen e shëndetit të pacientëve.

“Shërbimet transfuzive ambulantore nuk kanë qenë praktika më e mirë në ruajtjen e shëndetit të pacientëve, nuk është në kuadër të shërbimeve që duhet të i ofroj QKKTGJ-ja,  dhe si të tillë e ka ndërprerë në mënyrë që klinikat përkatëse të marrin rolin i cili ju takon në trajtimin e këtyre patologjive”, tha Zhubi.

KALLXO.com ka shkruar edhe për mungesa tjera të barnave dhe pajisjeve në sistemin publik shëndetësor.

http://kallxo.com/mungese-e-dyshekeve-per-shtreter-ne-qkuk/

http://kallxo.com/qkuk-diagnostikimi-aparatura-te-vjetra/

http://kallxo.com/qkuk-qe-1-vit-pa-aparature-te-gastroskopise/