Mitrovicë: Muzika si Gjuhë Universale, Përkundër Ndarjeve

Ky është një tregim për njerëzit nga Mitrovica, për të cilët muzika është gjuhë universale. Ky është një tregim edhe për Mitrovicën, një vend i cili është i njohur si një qytet i ndarë i Kosovës, kurse në fakt është diçka shumë më i bukur dhe më tepër se sa kaq.

“Ne nuk shkojmë nëpër botë për të dëgjuar jazz por e sjellim botën këtu dhe njerëzit kënaqen”, kështu do të mund të fillonim tregimin për rock’n’roll, jazz dhe blues si mënyrë e të jetuarit, për njerëzit nga Mitrovica të cilët e kanë muzikën gjuhë universale. Ky është një tregim për Mitrovicën, një vend i njohur si qytet i ndarë në Kosovë, kurse në fakt është diçka shumë më tepër se sa kjo. Kjo “botë” ka filluar të vijë në Mitrovicë qysh në periudhën para Luftë së Dytë Botërore. Zonjat në toalete, burrat në kostume, argëtimet me muzikë qytetare, vallëzim – dukshëm jotipike për një vend të vogël minatorësh.

“Fajtori” kryesor për këtë është Trepça, sot e njohur si Kombinat minierash-metalurgjik-kimik, përkatësisht si Mines Limited në mes të dy luftërave botërore. Për shkak të mungesës së kuadrove në miniera kanë ardhur inxhinierë nga vendet e tjera. “Çdo herë ke mundur të shohësh ndonjë gjerman, polak, çek, slloven, anglez…”, sipas tregimeve të Mitrovicës nga vitet e 20-ta dhe 30-ta të shekullit të 20-të. Duke iu falënderuar këtyre rrethanave, ky qytet është bërë vend i përzierjes së kulturave dhe ndikimeve të ndryshe, të cilat, pak nga pak, e kanë krijuar edhe mënyrën e të jetuarit.

“Ka pasur edhe të rinj të cilët kanë shkuar për të studiuar tutje, bile edhe jashtë dhe kështu kanë sjellë të dhëna mbi ngjarjet në botë. Në këmbë, më një valixhe, i kanë sjellë këto informacione, në një mënyrë shumë origjinale”, kështu e përshkruan mitrovicasi Isat Isko Muriq, Mitroviën e paraluftës.

Më këto informacione kanë filluar të vijnë edhe tingujt e rinj, kurse me ritmet ballkanike kanë filluar të përzihen ndikimet e ndryshme muzikore të atyre që kanë ardhur. Kështu në Mitrovicë ka ekzistuar orkestri i parë i bronzit, orkestra e zjarrfikësve… edhe sot flitet për ballot të cilat janë organizuar në hotelet Adriatik dhe Palace.

1-isko-muri-ne-zvecan

Pas Luftës së Dytë Botërore, kanë arritur rrymë dhe kultura të reja, por ende kultivohej tradita e ritmeve të ndryshme. Fillohet të shihet plotësisht ndryshe muzika e këtij qyteti. “Këtu, për shembull, ka jetuar një jazz harmonikues, në Mitrovicë. Ai nuk ka ditur t’i bie valles. I ka rënë harmonikës jazz. Tani po t’i thoni dikujt nuk do të besojë, edhe pse në akademitë muzikore ekziston departamenti për këtë”, thotë bashkëbiseduesi Muriq.

“Unë nuk kam traditë jazz, babai im ka prerë dru në pyll dhe e ka dëgjuar Carevcin dhe të ngjashëm, çfarë lidhjesh kam unë me jazzin – asnjë fare. Ajo është vuajtje, pikëllim, New Orleans, robërit. Ne ballkanasit jemi të gjallë, kemi temperament, jemi muzikalë. Dhe kështu kemi filluar të pranojmë ritme te ndryshme”, shtoi Muriq.

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë kohës së socializmit, nuk ka qenë e lehtë që të luhet muzika e cila ka ardhur nga jashtë, që të mos konsiderohet imperialiste. “Por prapë së prapë ka pasur traditë, ka pasur instrumentistë frymorë, trumpetistë, saksofonistë, klarinetistë… diçka është luajtur. Çfarë muzike? Jazz. Nëse është dashur të këndohet diçka, është bëtë në stilin ‘unë të dua ty, ti më do mua’, që mos të ketë ndonjë ideologji”, thotë Gazmend Gazi Mustafa, i cili është njëri prej atyre që e ka kultivuar muzikën rock dhe jazz në Mitrovicë.

Arsyeja e parë e laramanisë së skenës mitrovicase të muzikës është Trepça. Arsyeja e dytë është Petar Pera Rakiq, mitrovicasi i cili ka krijuar gjenerata të shumta të muzicientëve në Kosovë, i cili edhe sot punon edhe pse është në pension. Thotë që gjatë viteve gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë në Mitrovicë veçse ka ekzistuar skena e zhvilluar muzikore. “Ka pasur aq shumë podrume, vende ku është luajtur, veçse ka ekzistuar diçka”, thotë Pera Rakiq, duke reaguar me modesti ndaj komplimenteve të kolegëve dhe miqve të tij. Kristalet e Trepçës, më vonë vetëm Kristalet, Mak, Dalton, Korak, Dama e Zezë, Yjet e Zjarrta… janë vetëm disa prej grupeve mitrovicase të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Hapësira e njohura për muzicientët e asaj periudhe kanë qenë sallat Keji i Lushtës dhe salla për vallëzim në Zveçan.

„Kur e kam kuptuar ekzistencën e grave veçse ka pasur disa grupe në Mitrovicë. Kam shkuar në sallën për vallëzim apo në shkollën e mjekësisë… dhe aty kanë luajtur, dhe kam shikuar vajzat. Kam shikuar por muzika më është futur në veshë”, thotë Gazi për takimet e tij të para me muzikën.

Kej i Lushtës sot është i rrafshuar me tokë. “Sa kujtimet ka pasur atje…” me melankoli përsëriten Isko, Gazi dhe Pera. Intervistat i kemi bërë të ndara, por tregimet dallojnë vetëm përmes mënyrës së prezantimit: kujtimet dhe ndjenjat janë të njëjta.

Kujtimet për Bulin

2-gazmend-gazi-mustafa-225x300

Dhe ja si ka filluar organizimi i festivaleve të para. Festivali i parë e ka pasur emrin “Në kujtim të Bulit”. Në aksident trafiku, tupanisti Rexhep Xhemajli- Buli e ka humbur jetën. Ekipi i muzicientëve pas kësaj për herë të parë ka organizuar rock koncert në të cilin kanë marrë pjesën grupet nga Mitrovica dhe nga komunat fqinje. Ngjarja ka pasur karakter humanitar dhe të gjitha të ardhurat kanë shkuar për familjen e viktimës.

Pas disa vitesh koncertesh humanitare, ngjarja ka filluar të këtë karakter festivali dhe është kthyer në Rock Fest i cili i ka tubuar muzicientët nga rajoni i gjerë. Dhe kështu për më shumë se 20 vjet. Ndikimi gjithnjë e më i madh i kulturës rock gradualisht e ka shtyrë muzikën e cila ishte “rrënjosur” në Mitrovicë disa dekada më herët, kurse muzicientët e instrumenteve frymore kanë filluar të dalin në harresë.

Dhe atëherë përsëri në skenë del Pera Rakiq me idenë për të organizuar koncerte jam session. “Me muzicientët të cilët i ka dëgjuar, ai ka dashur të bëjë një përbërje. Një herë në vit e kemi organizuar këtë koncert dhe jemi mbledhur në Kejin e Lushtës”, thotë Gazi. “Më kujtohet qe Pera e ka pasur një kasetofon me kaseta më të vjetra se vet ai. Kurse unë i kam incizuar ato, si dokument”, shton ai.

Entuziazmi ka qenë shtytësi kryesor i çdo gjëje që ka ndodhur në skenën muzikore të Mitrovicës. “Kur ka qenë e karakterit humanitar, paratë nga biletat kanë shkuar për atë qëllim, në raste tjera të ardhurat zakonisht kanë shërbyer për të paguar zërimin. Ose, për shembull, kur grupi Dama e Zezë (Crna Dama) ka shkuar në Gitariadën e Zajeçarit, ne e kemi financuar këtë. Asesi nuk ka guxuar që kjo të shihet si ndonjë biznes”, thotë Pera Rakiq.

Duke iu falënderuar Radio Prishtinës, ku ka punuar Pera, grupet dhe muzicientët kanë pasur në dispozicion instrumente muzikore por edhe hapësirën për promovim. “Në atë kohë nuk ka qenë e lehtë që të gjinden instrumentet, nuk keni mundur të blini një kitare për 100-150 marka. Por njëri tjetrit ia kemi huazuar ato pa asnjë kompensim”, thotë Rakiq.

3-petar-pera-rakic

Me ekzistencën e vullnetit, as mungesa e mjeteve elementare nuk ka qenë problem, kështu që në mënyra të ndryshme kanë tentuar që të vijnë tek qëllimi. Ndonjëherë edhe pa sukses…

„Vjen një njeri në jam session të bëjë muzikë dhe i thotë Perës: ‘Unë jam mësuar të luaj kontrabas’. Dhe Pera nuk e ka fare të vështirë, shkon në Prishtinë, e merr kontrabasin nga Radio Prishtina… mund të imagjinoni se sa është ajo… ai atëherë ka pasur Renault 4, në kulm të Renault-së… nuk e di se si e ka sjellë. Ka ardhë këtu, është kthyer në Mitrovicë dhe i ka thënë: ‘Ja urdhëro, luaj’. Kurse ai nuk di të luaj, vetëm atëherë i tregon që nuk di. Kurse Pera thotë: ‘Po mirë, përse nuk ma the më herët, unë e kam sjellë këtë instrument mbi kulm, jam maltretuar…”, përmes buzëqeshjes e kujton Mustafa këtë ngjarje.

Në Mitrovicë krijohet grupi çfarë nuk kanë pasur Prishtina dhe Shkupi

Pas disa vitesh të organizimit të jam sesioneve është shfaqur ideja e re, unike për Kosovën. “Pas provës së parë kam thënë: njerëz, ejani të bëjmë një orkestër të madhe, a dëshironi të vini në prova. Ideja ka qenë që për 5 vjet të krijohet orkestri me 4 bori, 4 trombona, 5 saksofona…të tjerat asnjëherë nuk kanë qenë problem, kitara, bas kitara – vetëm ajo pjesa frymore ka munguar”, thotë Petar Rakiq.

Dhe ja edhe problemet e para – si të vihet deri tek instrumentet frymore. Perës i kujtohen mundimet e ëmbla të cilat i kanë pasur në anë moment: “Në shkollën e muzikës i kanë pasur disa instrumente, ndoshta kanë mbetur nga orkestri i dikurshëm i qytetit apo nga gjermanët…ne kemi filluar nga aty t’i nxjerrim boritë…diku boritë kanë qenë të shpuara, dhe këto i kemi veshur, disa saksofona kanë pasur problem me valvula si dhe trombonat, ka pasur gjithçka”.

Dhe kështu në një qytet të vogël minatorësh është krijuar Big Bend, të cilin as Prishtina nuk e ka pasur. Përbërja e tij ka i vendosur vetës qëllimet e qarta: brenda pesë vitesh do të fillojnë të luajnë aranzhimet amerikane kurse brenda 10 vitesh do të organizojnë jazz festival.

“Dhe kështu kemi filluar. Të gjithë kemi qenë amatorë – edhe unë si dirigjent edhe ata si muzicientë. Por sado që të jetë shtrati i gjatë aq do i shtrijmë këmbët”, kujton Pera këto fillime.

“Ai ka filluar që nga derëndreçësit, zdrukthëtarët, sekretarët e komitetit, drejtorët…orkestër reviale, Big Bend i cili luan jazz dhe blues…unë kam luajtur saksofonin. Ka qenë një tregim i çuditshëm, Prishtina nuk ka pasur orkestër të tillë, Shkupi nuk ka pasur. Prishtina ka qenë fshat për Mitrovicën”, thotë Isko Muriq, i cili pranon që kanë ditur të jenë edhe mendjemëdhenj për shkak të kësaj.

Ajo çfarë është në Mitrovicën e sotme me rëndësi, se të cilës përkatësi etnike apo nacionale kanë qenë muzicientët atëherë nuk ka qenë e rëndësishme. Kanë luajtur shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit. E vetmja që ka qenë e rëndësishme është nëse ke ditur dhe ke dashur të luash.

4-oktobar-1989-big-bend-medjunarodni-dzez-festival-mitrovica-urim-koshi-ergin-koroglu-erhan-corogli-gazmend-mustafa-shlaja-rakic-skender-jetullahu-me

“Big Bend – kjo ka qenë një gjë e pastër multietnike, pa asnjë ndikim të politikës, nacionalizmit… gjëja kryesore dhe universale ka qenë muzika. Ksenofobia është gjëja më e rrezikshme, ne këtë asnjëherë nuk e ndajmë. Historia nuk është selektive. Aty nuk kanë luajtur vetëm shqiptarët, apo vetëm serbët, apo vetëm boshnjakët. Duhet të flitet në mënyrë objektive”, thotë Muriq.

Pera Rakiq e pranon që në një moment ka ardhur koha kur e kanë pyetur se sa pjesëtarë të cilit komunitet ka në bend. “Unë ju kam thënë shkoni dhe pyesni, unë këtë nuk e di, asnjëherë nuk i kam numëruar”.

„Këto kanë qenë marrëdhënie të tilla që ju nuk do të besonit po të ju thoja. Tani jetoj në Prishtinë. Ndonjëherë ju flas fëmijëve të lagjes dhe ata nga mirësjellja nuk thonë asgjë. Por e shoh që mendojnë: “Plako, mos na gënje”, me buzëqeshje nga flet Gazi për marrëdhëniet ndërnjerëzore në Big Bend.

Njëjtë janë festuar edhe Krishtlindjet edhe Bajrami, të gjithë së bashku kanë shkuar edhe në ngjarje të hareshme edhe të pikëllueshme – të gjithë 20 anëtarët. Por ngjarjet më të rëndësishme për të gjithë kanë qenë përvjetorët e Big Bendit. Shkurtimisht kështu është dukur kjo: të gjithë sjellin diçka nga shtëpia: pije, ushqim, muzika është aty…dhe festohet deri në mëngjes. “Këta vëllezërit që kanë jetuar aty afër, e kanë sjellë atë tepsinë e madhe me mantia. Ato kanë qenë mantia shtëpie, unë asnjëherë nuk e kam provuar më atë shije”, kujton Gazi.

Janë mbledhur njerëzit të cilët nuk kanë pasur asnjë pikë të përbashkët në kuptimin profesional. Pas provave të përbashkëta, shoqërimit, festave, secili ka shkuar rrugës së vet. Ndonjëherë as nuk e kanë ditur se me çfarë merren jashtë bendit. Muzika i ka bashkuar dhe ka qenë gjuhë universale, por edhe e ka zgjuar lidhjen në mes të njerëzve të profileve të ndryshme arsimore.

Ata nuk janë marrë me politikë por politika është marrë me ta: Big Bendi më nuk ekziston.

5-anetaret-big-bend-2015

Pasi që e kanë arritur qëllimin e parë dhe e kanë krijuar Big Bendin, brenda më pak se dhjetë vitesh e kanë organizuar jazz festivalin e parë i cili e ka fituar karakterin ndërkombëtar. Njëri prej sukseseve më të mëdha të bendit ka qenë ftesa për pjesëmarrje në festivalin e big bendeve amatore në Francë. Por nuk kanë shkuar.

Siç ndodhë rëndom në jetë, sa më e madhe që të jetë dashuria, aq më e dhimbshme është ndarja. Siç duket ashtu ka qenë me Big Bendin dhe Mitrovicën. Ngjarjet politike e kanë bërë të veten, e kanë shkatërruar një shtet, e si të mos e shkatërronin një bend nga një qytet i vogël i minatorëve.

„Këtë kam mundur ta pres të ndodh kudo tjetër, vetëm jo në Mitrovicë. Pikërisht për shkak të këtyre raporteve që kanë ekzistuar në mes të nesh muzicientëve”, thotë Gazi dhe shton: “Thjesht nuk kam shkuar më në prova, as që më ka telefonuar dikush të pyes përse nuk kam shkuar, as që kam pritur që të më telefonojë dikush”.

Dhe kështu është zhdukur Big Bendi, pa një ndarje formale. Thjesht më nuk janë mbajtur provat. Askush asgjë nuk i ka pyetur. Më nuk ka qenë i rëndësishëm fakti që kanë kaluar shumë net së bashku, me muzikë dhe me pije, që më me qejf kanë fjetur te njëri tjetri se sa te të afërmit, që përpos miqësisë është krijuar edhe një kumari. Isko i ka dy kumbarë – Zvezdanin dhe Gazmendin. Përmes shakasë shtyhen se cili është i pari dhe më i rëndësishëm. Por kanë ardhur kohërat që secili t’i bashkëngjitet tufës së vetë, të zgjedhë anën, me dashje apo pa dashje, pa marrë parasysh a u ka pëlqyer kjo apo jo. Që disa të shkojnë në veri dhe disa të shkojnë në jug dhe të “brohorisin” për ekipin të cilit i takojnë.

Më nuk ka patur vend për muzikë, të gjithë janë marrë me çështjet ekzistenciale të tyre dhe të familjeve të tyre. Dhe pas kësaj në Mitrovicë, në vend të tingujve të rock’n’roll, jazz dhe blues, kanë filluar të dëgjohen eksplodimet; në vend të kitarës, saksofonit, trombonit – janë dëgjuar të shtënat. Qyteti i vogël i minatorëve i cili ka qenë krenari e të gjithëve të cilët kanë jetuar në të është kthyer në simbol të ndarjes.

Perës i kujtohet që Gazi, një herë, kur janë dëgjuar pas gjithçkaje, e ka pyetur a të vijë për Shën Nikollën në festë. “Me vite të tëra ka rastisur që gruaja të thotë: shih që të ketë verë të bardhë, ndoshta do vijë Gazi”, kujton përmes buzëqeshjes Pera.

Në veri “North City”, në jug “Big Bend”

6-roben-ford-1

Disa vjet pas luftës së vitit 1999, grupi i muzicientëve që jeton në pjesën veriore të Mitrovicës, fillon të organizojë Festivalin Jazz&Blues. Për faktin që mbahet në pjesën veriore të qytetit, dhe për shkak të ngjashmërisë me festivalin e njohur botëror North Sea, organizatorët e quajnë North City. Festivali i parë me organizatorët e ri-të vjetër është mbajtur me 2003, kurse veçse vitin tjetër, me ardhjen e Ack Van Rooyen Quintetit dhe Cleanhead Phil Blues Bendit, fiton karakter ndërkombëtar.

Petar Pera Rakiq, të cilin kolegët e quajnë institucion, sot kryesisht ndihmon me organizim dhe ka pozitë të drejtorit të nderit të festivalit North City. Entuziazmi është ende bartësi kryesor. Në disa vende një ngjarje e tillë do të ishte biznes por jo edhe në Mitrovicë.

„Kemi shkuar te donatori me projekt për festival dhe ata çuditën. Si mendoni ju, këtu nuk keni të parapara pagat. Nuk mundet kështu”, flet me buzëqeshje Isko i cili sot është në këshillin drejtues të festivalit. “Nëse na mbetet për ndonjë birrë, mirë është, nëse jo nuk është me rëndësi. Shpesh kur mungon diçka e japim prej xhepit tonë”, shton ai.

Larry McCray, Roben Ford, Eric Gales, Juan Garcia Herreros, Thornetta Davis, Big James dhe The Chicago Playboys, janë vetëm disa nga mysafirët, përpos që ofrojnë argëtim muzikor për publikun mitrovicas, e ndryshojnë imazhin për qytetin “verior”.

Nenad Neshko Illiq, i cili është njëri prej organizatorëve të festivalit, thotë se, si ambasador të vërtetë të vendit të tyre, kanë arritur që të dërgojnë në botë një imazh tjetër për qytetin e tyre, i cili është aktual përsa i përket ngjarjeve politike. Mysafirët në fillim kanë ardhur me paragjykime.

„Kanë qenë vuajtje të ëmbla t’i bindim. Por pas kësaj janë kthyer dhe kanë dhënë deklarata për mediat e veta por edhe këtu për ju, për kolegët gazetarë, që janë pritur në mënyrë fantastike…që nuk ka këtu vetëm armë, bomba por edhe një ngjarje fantastike, botërore”, thotë Neshko.

„Mund të imagjinoni, para disa muajsh, Gales luan me Santanën dhe thotë: I love you – North City Jazz&Blues festival. Santana e shikon, çuditet, me siguri pyet se çfarë flet ky”, e tregon Isko reagimin e mysafirëve pas festivalit. Reagime pozitive vijnë edhe nga kolegët nga jugu i Kosovës por jo vetëm nga kolegët. Isko tregon ngjarjet gjatë pritjes së mysafirëve.

8-nesko-ilic-3-300x201

„Ne në aeroport i presim mysafirët dhe kamarieri thotë: ‘Jazz festival North City, të lutem, ma jep atë bluzë’. Ai e heq bluzën e vetë të kamarierit në të cilën shkruan Aeroporti i Prishtinës, unë timen North City. Dhe vetëm më thotë: ‘E, të falemnderit…’, kështu që kjo është shumë origjinale, e posaçme dhe reale”, shton Isko.

Sikurse pothuajse asgjë në jetë nuk ndodh rastësisht, edhe pse ndonjëherë duket ashtu, me siguri nuk është rastësi që vitin e njëjtë kur në veri fillon të mbahet jazz dhe blues festivali, në jug, në Prishtinë, mbahet koncerti i parë i Big Bendit të rikrijuar. Dhe përsëri rolin kryesor e kanë mitrovicasit.

“Nuk e kam ditur që është viti i njëjtë por e kam parë që në thelb diçka është zier brenda nesh, pa marrë parasysh se ku e kemi vazhduar jetën, sikurse Pera atje edhe ne këtu. E ndjen që ajo disi ka vluar, nuk kemi mundur të presim më e të mos bëjmë diçka. Kjo është koincidencë por mendoj që të gjithë kemi qenë të lodhur nga ajo jetë e vdekur artistike”, thotë me buzëqeshje Valton Beqiri, profesor në Akademinë Muzikore në Prishtinë.

Si i biri i kompozitorit dhe drejtoreshës shumëvjeçare të shkollës së muzikës, ai veçse e ka pasur të hapur rrugën në jetë, dhe për këtë flet edhe emrin Val-ton. Pos kësaj, është rritur duke e dëgjuar Gazin, Iskon, Perën dhe anëtarët tjerë të Big Bendit mitrovicas, duke mos supozuar që disa dekada më vonë edhe vetë do të krijojë një gjë të tillë.

“Në prill të vitit 2003 kemi mbajtur koncert. Ka pasur njerëz në pozita të ndryshme. Kemi dashur të tregojmë kapacitetin tonë, që mund të jemi gurthemel për Big Bend. I ndjeri Agim Zatriqi, drejtor i Radio-Televizionit të Kosovës ka thënë: ky bend duhet të jetë në televizion”, thotë Beqiri nën drejtimin dirigjues të të cilit deri vitin e kaluar ka luajtur përbërja e re/e vjetër e Big Bendit.

Për shkak të mjeteve buxhetore, bendi më nuk ekziston në përbërje të plotë. Nuk ka para por ka muzikë dhe entuziazëm dhe nuk e kanë të vështirë që edhe sot të takohen dhe të bëjnë muzikë.

“Ky entuziazëm asnjëherë nuk do të zhduket. Muzika është një profesion i tillë, çdo herë është këtu, në vena, kurdo që të ketë ndonjë mundësi të vogël ne do të mblidhemi. Ajo lidhje e cila krijohet pas krijimin të përbashkët të muzikës është shumë e fortë. I kemi pasur dy raste të vdekjes së anëtarëve të Big Bendit. Ka qenë shumë e vështirë që të mbahet lidhja në mes të muzicientëve. Deshëm apo jo, ne jemi njerëz shumë të ndjeshëm. Duhet të kaloj shumë kohë që kjo plagë të shërohet”, thotë Valtoni.

Janë dashur shumë vjet që të shërohen edhe ato plagët e luftës të cilat e kanë vrarë Bing Bendin mitrovicas dhe këtë qytet të vogël të minatorëve e kanë ndarë në “veri” dhe në “jug”.

Gazmend Gazi Mustafa thotë që dhjetë vjet nuk ka dashur të shkojë në pjesën veriore të Mitrovicës: “Dhe pastaj, para 4-5 vitesh, vendosa të shkoj. E di se si jam ndier: sikur të kisha qenë pardje, të mos jemi parë dy ditë. Sikur të mos jem larguar asnjëherë”.

9-sanja-sovrlic-valton-beciri

“Jemi ulur në Beep Bup, ka ardhë Pera. Unë i them të mos puthemi, menjëherë pas pyetjes se a do të puthemi dy herë (si shqiptarët) apo tre herë (si serbët). Aty kanë qenë Isko, Neshko, Mishko Gvozdiq… gruaja e Bozhës më thotë: ‘Ku je Gazi, si je Gazi’. Unë i shikoj, sikur të mos kishin kaluar dhjetë vjet.“

Biseda ka zgjatur pa fund, shumë kujtime të përbashkëta, interesim për njerëz tjerë, dashuri të vjetra… përpos takimit me njerëzit e bendit, Gazi thotë që ka takuar edhe disa të tjerë, të cilët e kujtojnë, dhe atë për të mirë. Nuk e ka ditur se me kë do të bisedojë së pari, në rrugë, në kafene…

”Kam qenë në Zveçan. Një Stanko e ka luajtur kitarën dhe më thotë: ‘Ku je Gazi, unë për herë të parë e kam dëgjuar Eric Cleptonin nga ti, që të mund të kthehet ajo kohë…”

Këtë vit thotë që ka qenë edhe në North City Jazz Festival, gjatë ditës, pasi që shikimin nuk e ka të mirë, dhe nuk mund ta drejtojë veturën natën. “Dhe e di që do të pimë shumë nëse do mbetem”, shton ai.

Shumëçka ka ndryshuar, por diçka edhe tani ka mbetur e njëjtë, në jazz festival, në qytetin verior. Kur të përfundojë festivali, të largohet mysafiri i fundit, të rregullohen llogaritë, të kthehen instrumentet… pastaj përsëri mblidhet ushqimi dhe pijet, lëshohet muzika, këtë vit ky ka qenë Gales. “E lëshojmë muzikën në ndonjë laptop të vjetër, e kemi përfunduar festivalin – dhe kjo është e tëra”, e përfundon Isko tregimin për jazz dhe blues festivalin.

10-gazi-posle-10-god-u-severnom-delu-mitrovice-gazmend-mustafa-miljan-misko-gvozdic-isko-muric-boban-avramovic-klub-soho-mitrovica-veri

Edhe ekipi verior edhe jugor ka, përpos atyre të mirave, edhe kujtimet të hidhura nga Mitrovica.

Nuk duan që të pyeten nëse mund të tubohet përsëri Bing Bendi. Është e dhimbshme për të gjithë. Por një gjë nuk ka ndryshuar ende: muzikën ende e kanë gjuhë universale.

 

Artikulli është krijuar si pjesë e projektit “Njerëzit e vërtetë – zgjidhjet e vërteta”, i cili është financuar nga Bashkimi Europian si pjesë e Programit Mediatik 2014. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi ekskluzive e BIRN Kosovë dhe Rrjetit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Europian.