Kurrë me PDK-në. Me Tjerat, Shohim (TV)

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka përjashtuar çdo mundësi për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës në nivel lokal në zgjedhjet komunale të vjeshtës, por nuk ka përjashtuar mundësinë e aleancave edhe me partitë tjera, nëse me to ka përputhje programore.

Kurti, në debatin e emisionit Jeta në Kosovë, tha se në Kosovë nuk ka sistem demokratik dhe se dëshmi për këtë ka qenë edhe afera “pronto”. 

“Me PDK-në nuk ka mundësi për të bërë koalicion, Albin Kurti

“Me PDK-në nuk ka mundësi për të bërë koalicion”, thotë ai, duke shtuar se për partitë tjera koalicioni do varet nga përputhja e programeve. “Ne nuk bëjmë koalicion me dikë që s’kemi përputhje programore dhe nuk bëjmë koalicion me dikë që nuk kemi besim të ndërsjellë”.

Megjithatë, Kurti shtoi se “janë tri fraksione të së njëjtës parti – PDK, LDK, AAK” pasi “asnjëra nga to nuk janë parti”.

“Ne do të përpiqemi të fitojmë si lëvizje Vetëvendosje”, tha Kurti.

Sërish do ta kapja mikrofonin në kuvend

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke folur për veprimin e tij duke ia marrë mikrofonin kryetarit të Kuvendit të Kosovës në kohën kur po ratifikohej marrëveshja me Serbinë, thotë se gjesti i tij ka qenë një ndër metodat për ta parandaluar aprovimin parlamentar.

Madje ai thotë se në situatë të njëjtë, sërish do të vepronte njësojë.

“Nuk e kam prekur kryetarin e kuvendit. Unë e kam marrë mikrofonin, ai i ka kapur duart e mia, dhe tërë kohën i kam thënë ‘Kryetar, nuk bën të votohet, kjo shkelje nuk bën të votohet”, thotë Kurti. “E kam marrë mikrofonin pikërisht që ta mbroj kuvendin. Aty është shkel kuvendi me atë ratifikim”.

Ndërkohë, ai nuk pranon se aktivistë të Vetëvendosjes e kanë lënduar ambasadoren amerikane në demonstratë, dhe për këtë ai thotë se nuk ka arsye të kërkojë falje. 

“E kam marrë mikrofonin pikërisht që ta mbroj kuvendin. Aty është shkel kuvendi me atë ratifikim. Kurti

“Lëvizja nuk e ka lënduar ambasadoren amerikane. Ne kemi shprehur keqardhje që ajo është lënduar atë ditë…, por sërish ne nuk kemi faj”, thotë Kurti.

Kjo, sipas Kurtit, ka ndodhur pasi ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson nuk kishte hyrë nga hyrja zyrtare e kuvendit. “Ajo në vend se të hyjë në hyrjen kryesore të kuvendit, ka përdorur atë hyrjen anësore e që është tretësore. Asnjë ambasador tjetër nuk është lënduar atë ditë”, thotë ai. “Kur ka ardhur me xhip të zi, askush nuk e ka njohur, se aso xhipash i kanë të gjithë këta deputetët e PDK-së, edhe ajo ka ardhur deri te hyrja tretësore në kundërshtim me njoftimin që e ka shpërndarë ambasada amerikane”, shtoi lideri i Vetëvendosjes.

Kurti ka folur edhe për raportet që ka kjo lëvizjeje me ambasadoren amerikane në Kosovë, duke thënë se ajo nuk ka interesim t’i takojë ata.

“Është e vërtetë se nuk kemi pasur takim me ambasadoren amerikane, dhe në takimet që kemi qenë bashkë me Shpend Ahmetin, Visar Ymerin e Florin Krasniqin, ne u kemi thënë edhe kongresistëve edhe senatorit se për neve është absurde që ambasadorja amerikane nuk na takon neve, e ne vijmë e ju takojmë juve”, deklaron ai. 

“Lëvizja nuk e ka lënduar ambasadoren amerikane. Ne kemi shprehur keqardhje që ajo është lënduar atë ditë…, por sërish ne nuk kemi faj, Kurti. 

Ai shpreh habi ndaj ambasadores amerikane, pasi sipas tij, ajo i thotë qeverisë së Kosovës të bisedojë me Serbinë, e në anën tjetër vetë ajo nuk bisedon me Vetëvendosjen.

“Ambasadorja amerikane i thotë Kosovës ‘bisedo me Serbinë’. Po mirë, provoje ti njëherë bisedo me Vetëvendosjen. Si qenka e mundur ta shtysh Kosovën dhe qeverinë e Kosovë të dialogojë me kriminelët e luftës në Beograd – Vuqiç, Daçiq e Nikoliq, e në anën tjetër të mos dialogësh me Vetëvendosjen. Kjo nuk është fer”, deklaron Kurti.

Kurti thotë se ndjen keqardhje për veprimet e disa aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët gjatë demonstratës kanë hedhur gurë, por shton se ky reagim ka ardhur pas intervenimit të policisë ndaj protestuesve.

“Po ka aktivistë dhe anëtarë të Vetëvendosjes që kanë hedhur gurë, me ç’rast këtë e kanë bërë në drejtim të makinave, dhe këtë e kanë bërë pasi intervenimit të policisë ndaj tyre. Dhe kjo është për të ardhur keq”, thotë ai.

Ai shton se asnjëri prej aktivistëve të Vetëvendosjes nuk mendon se ka bërë mirë me hedhjen e gurëve, por sipas tij, asnjëri prej tyre nuk është i sigurt që po e solle në situatën e njëjtë, do të mund të vetëpërmbahej.

Kurti thotë se janë duke e hetuar rastin për t’i gjetur se cilët aktivistë kanë hedhë gurë në demonstratë dhe për të marrë masa ndaj tyre.

 “Po” shamive në shkolla, por mbi 16 vjeç

Kurti gjatë debatit në emisionin Jeta në Kosovë, ka folur edhe për pikëpamjet programore të Vetëvendosjes lidhur me bartjen e shamive në shkolla.

“Ne jemi për ato vajza që duan ta mbajnë shaminë mbi moshën 16-vjeçare, të mos u ndalohet… Vishu si të duash, bën çka të duash, kjo është çështje individuale e ndërgjegjes së njeriut”, thotë Kurti. “Ne jemi kundër ekstremizmave fetarë të të gjitha llojeve, përfshirë këtu edhe islamin ekstrem. Ne i kemi dënuar ashpër deklarimet e një hoxhe nga Prizreni”, shton ai.

Kurti thotë se si Vetëvendosje janë kundër edukimit fetar, sepse ai nënkupton instruksione fetare, kurse janë për edukimin mbi fetë.