Kryeprokurori i Shtetit: Rritje e Vogël e Kriminalitetit

Ditën e mërkurë kryeprokurori i Shtetit, z.Ismet Kabashi, lansoi raportin e punës së Prokurorive të Republikës së Kosovës për vitin 2012.

Në bazë të të dhënave të raportit, kriminaliteti është në rritje të vogël meqë gjatë 2012-tës  ishin pranuar 366 kallëzime më tepër se në vitin paraprak. Nga ana tjetër kriminaliteti i të miturve ka një tendencë të rënies, pasi procedura për të mitur paraqitet si më e kompletuar për dallim nga 2011-ta.

Përgjatë vitit 2012 Prokuroria kishte pranuar gjithsej 25 mijë e 987 kallëzime penale kundër 34 mijë e 166 personave, megjithatë duke marrë parasysh se ky institucion ka pasur punë edhe me kallëzimet penale nga vitet e mëparshme, numri total i kallëzimeve penale drejtohej kundër 56.546 individëve.

“Gjatë vitit 2012 janë zgjidhur kallëzime penale kundër 37 mijë e 186 personave dhe në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet kundër 19 mijë e 360 personave.”- deklaroi kryeprokurori i Shtetit.

Sipas raportit, Gjykatat komunale dhe ato të qarkut, duke vepruar sipas akteve akuzuese të prokurorive kanë shpallur fajtorë 19 mijë e 150 persona, ndërsa kanë liruar 331 persona.

Prokurorive u duhen më shumë prokurorë

Detyrën e prokurorëve të shtetit përgjatë vitit 2012 e kanë ushtruar gjithsej 127 prokurorë, por për ta luftuar më efektshëm krimin, prokurorive të republikës u duhen më shumë profesionistë të tillë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson se prokurorit të Shtetit i nevojiten 179 prokurorë, ose 52 më shumë se që punojnë aktualisht, derisa momentalisht lejohen vetëm 146 pozita prokurorësh në vend, ose 19 më tepër.

Gjatë prezantimit të raportit kryeprokurori ka bërë me dije se edhe numri i bashkëpunëtorëve profesionalë është tejet i vogël, kështu që në të ardhmen për të kryer punë më shpejt me lëndët, nuk do të punësohen sekretarë juridikë, por zyrtarë ligjorë që do të ndihmojnë punët prokuroriale.

Lufta kundër korrupsionit sfida kyçe e prokurorive

Sa u përket lëndëve kundër detyrës zyrtare, kryeprokurori i Shtetit luftën kundër korrupsionit e cilësoi si sfidë kyçe. Andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të caktojë edhe tre prokurorë që do merren enkas me lëndët e korrupsionit.

Gjykatat për këto lëndë kanë shpallur fajtor 128 persona, kanë refuzuar akuzat kundër 24 personave dhe kanë liruar gjithsej 18 persona.

Pas prezantimit të raportit, kryeprokurori i Shtetit Ismet Kabashi, u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve.

Kabashi ka treguar se edhe pasi të përfundojë mandati i EULEX-it prokurorët vendas janë të gatshëm të punojnë në lëndët e të gjitha natyrave që paraqiten pranë sistemit prokurorial, përveç krimeve të luftës.

Sipas Kabashit Prokuroria Speciale e Kosovës është krijuar pikërisht për këtë natyrë të veprave penale, pasi kryesit e huaj të këtyre krimeve nuk ekstradohen nga shteti i tyre ku dhe hasen.

Kabashi mohoi korrupsionin nëpër prokurori, megjithëse pranoi se edhe dhënia e dhjetë eurove për një certifikatë të lindjes, paraqet vepër korrupsioni. Ai u koncentrua në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Veprat penale të korrupsionit që nuk hyjnë në kuadër të krimit të organizuar, janë kompetencë e prokurorive vendase, përndryshe me to merret Prokuroria Speciale e Kosovës, në kuadër të së cilës është krijuar Task-Forca.

Kabashi foli edhe për kallëzimet penale që prokurorive u kanë mbërritur nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Tha se deri më 31 dhjetor të vitit 2012 agjencia ka paraqitur 109 kallëzime të tilla.

Prokuroritë kanë hedhur si të pabazuara 27 kallëzime penale, për 13 të tilla i kanë pushuar hetimet, ndërsa nga kallëzimet e Agjencisë kundër Korrupsion kanë ngritur 15 propozim-akuza dhe 7 aktakuza.

Nga Agjencia prokuroritë kanë pranuar edhe 66 informata për shkelje të mundshme ligjore, nga të cilat 29 i kanë hedhur poshtë, 7 i kanë pushuar, ndërsa në bazë të një informate ka filluar një hetim, i cili më pas është mbyllur nga prokurori.

Agjencia Kundër Korrupsion gjatë prezantimit të raportit të saj për vitin 2012 të bërë publik  para gjashtë ditësh u ankua se më tepër rreth kallëzimeve penale bashkëpunon me EULEX-in sesa me prokuroritë dhe gjykatat vendase.

Në raportin e shpalosur nga Prokuroria e Shtetit hasen të dhënat e secilit prokuror, duke përfshirë dhe punën që kanë bërë, e këto të dhëna janë publike.

Raporti i punës së Prokurorive të Republikës së Kosovës për 2012, nxori si më të suksesshmet Prokurorinë Komunale të Gjilanit dhe Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Nga janari i vitit 2013 në bazë të Kodit të ri Penal ka ndryshuar struktura organizative e prokurorive dhe gjykatave në Kosovë.