Istogu pa Rrymë Shkaku i Stuhisë

Istogu dhe fshatrat përreth vazhdojnë të jenë pa energji elektrike pas stuhisë që ka goditur këtë qytet në mëngjesin e së premtes rreth orës 4 dhe që ka vazhduar edhe gjatë ditës së shtunë. 

Istogu gjendet në perëndim të Kosovës dhe duke pasur këtë shtrirje gjeografike erërat e fuqishme zakonisht godasin këtë qytet. 

Sipas kryetarit të komunës se Istogut, Haki Rugova, kuvendi komunal ka angazhuar zjarrfikësit, FSK’në dhe mirëmbajtjen që tu dalin në ndihmë qytetarëve te cilët kanë pësuar dëme të mëdha materiale dhe janë duke e pastruar qytetin.

Korporata Energjike e Kosovës, KEK ka njoftuar të shtunën për shumë dëme në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike.

KEK thekson se në tërë vendin ka pasur 129 prishje ku vetëm në rajonin e Pejës kanë qenë 41 prishje. KEK lajmëron që me stafin e përforcuar janë në terren në evitimin e prishjeve.

Qytetarët e Istogut tregojnë për një erë të fortë që iu ka sjell dëme të shumta. 

“Siç kemi qenë duke ndenjur brenda në shtëpi befas kemi dëgjuar një zhurmë të madhe, kur dolëm në oborr pamë se i tërë kulmi i shtëpisë së stacionit policor kishte rënë në kulmin e shtëpisë tonë duke i thyer 300 tjegulla, pastaj ka goditur veturën e cila ka qenë në oborr, e më pas ka thyer edhe dritaret e fqinjëve përreth,” Jonuz Blakaj i tha gazetës Jeta në Kosovë.

Dëme të mëdha ka pësuar shkolla fillore “Hysni Zajmi” në fshatin Vrellë të Istogut të cilës i është dëmtuar rëndë kulmi dhe xhamat i janë thyer tërësisht. Dëme u janë shkaktuar edhe bizneseve familjare.