Humb Jetën në Një Aksident në Oborrin e Tij

S.Rashkoviq, mashkull 39 vjeçar, vdiq të martën në një aksident, pasi që humbi kontrollin mbi traktorin e tij duke u rrokullisur bashkë me të në oborrin e shtëpisë së vet, në fshatin Dren të Zubin Potokut.

Sipas policisë së Mitrovicës, besohet se viktima, kishte bërë përpjekje për ta ndezur traktorin , duke e lëshuar poshtë livadhit dhe për shkak të terrenit të rrëshqitshëm dështoi ta kontrollojë atë, me ç’rast është rrokullisur.

Sipas raportit të mjekëve kujdestarë, viktima kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes.

Prokurori i shtetit në prokurorinë themelore në Mitrovicë dha autorizimin që trupi i pajetë i viktimës t’u  lirohet familjarëve të tij, kurse rasti të regjistrohet si vdekje aksidentale.

Gjendet Automjeti i Vjedhur

Zyrtarët policorë të stacionit jugu në Mitrovicë, kanë gjetur natën e së martës një automjet që ishte raportuar i vjedhur në Zubin Potok, në orët e hershme të mëngjesit të së njëjtës ditë.

Sipas zyrës për informim publik të policisë së Mitrovicës, automjeti, ”VW Golf-V”, pa targa të regjistrimit, ishte vërejtur i braktisur skaj rrugës afër varrezave të dëshmorëve në fshatin Zhabar i Epër në Mitrovicë.

Pas verifikimit, automjeti i është kthyer pronarit legjitim në Zubin Potok.