Ekspertiza Tregoi se Kush i Nënshkroi Garancitë në “Medicus”

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të martën ka vazhduar seanca në rastin e njohur si “Medicus”.

Në këtë seancë, e cila filloi me një vonesë për shkak të mungesës të njërit gjykatës të panelit, e dha ekspertizën e tij shtesë eksperti i forenzikës, Milazim Tahirukaj.

Eksperti para gjykatës edhe një herë tregoi të gjeturat e tij në mostrat e reja që kishte pranuar dhe në mostrat e mëparshme.

Nga ato që kishte urdhëruar gjykata, eksperti tregoi se në mostrat e pranuara kishte ardhur në përfundim që ato ishin të nënshkruara nga Lutfi Dervishi dhe djali i tij, Arban Dervishi.

Mostrat kishin të bënin me kërkesa dhe me garanci.

“Te pjesa e nënshkrimit ku shkruan prof. Dr. Lutfi Dervishi, e që është pjesë e kërkesës drejtuar bordit të licencimeve në Ministrinë e Shëndetësisë e datës 20 qershor 2005, nënshkrimi është i Lutfi Dervishit”, tha eksperti Tahirukaj.

“Edhe pjesa e nënshkrimit tek dokumentit ‘Garancion’, i datës 20 tetor 2008, është e nënshkruar po nga Lutfi Dervishi”, shtoi ai.
 
Garancitë shkruheshin nga klinika “Medicus”, në emër të personave që vinin në klinikë për të transplantim të veshkave.

Këtë nuk e kundërshtoi as mbrojtja e Lutfi Dervishit. Mbrojtësi Aleksander Borg de Oliver, tha se garancitë kanë qenë të vulosura nga gjykata dhe se ata këtë nuk do ta kundërshtojnë.

Sipas ekspertit Tahirukaj, shumica e garancive ishte e nënshkruar nga Arban Dervishi, por sipas tij disa nga këto garanci nënshkrimet janë të printuara, pra jo të nënshkruara direkt nga i pandehuri Arban Dervishi.

“Në këto mostra është përdorur printeri INK-JAT dhe kjo vërehet nga gjurmët që lë ai në printim”, shtoi Tahirukaj.

Në pyetjen e prokurorit se në mostrat nga A deri në S se kush i kishte nënshkruar, dëshmitari u përgjigj se shumica e këtyre ishte nënshkruar nga Arban Dervishi.

Derisa po përgjigjej eksperti në pyetje të mbrojtjes, avokati Fazli Balaj, e hapi telefonin dhe u përgjigj në seancë. Për këtë kryetari i kolegjit i dha vërejtje duke i thënë se e ka kaluar çdo limit.

Seanca në këtë çështje do të vazhdojë më 1 mars, kur prokurori do të prezantojë listën me provat materiale nga lënda, ndërsa në javën në vazhdim do të dëgjohen edhe mbrojtjet e të pandehurve.

Gjykata po ashtu ka paraparë që seanca e fundit në këtë çështje të mbahet më 8 prill 2013.

Prokurori special, Jonathan Ratel, më 15 tetor 2010 ka ngritur aktakuzën kundër Lutfi Dervishit, Arban Dervishit, Sokol Hajdini, Driton Jiltas, Islam Bytyqit dhe Sylejman Dullës, të cilët i akuzon për disa vepra penale përfshirë krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore. Kurse Ilir Rrecaj akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit.