Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Ballkan- Monumentet Mbijnë Pas Luftërave

Qindra memorialë lufte janë ndërtuar që nga konfliktet në Ballkan, por shumë qeveri nuk ushtrojnë asnjë kontroll se sa para publike janë shpenzuar për ta, ose nëse monumentet e reja provokojnë tensione etnike.

Në dy dekadat e fundit, një numër i madh monumentesh të reja janë ndërtuar në gjithë ish-Jugosllavinë,  qindra, ndoshta mijëra.

NDËRLIDHUR

Kostoja e përgjithshme vlerësohet të jetë qindra milionë euro- ndoshta disa miliardë- në vende të varfra që shpesh kanë vështirësi të ofrojnë shërbimet e duhura publike nga buxheti i shtetit, ose të financojnë beneficione të mirëqenies për viktimat e luftës.

Por një hulumtim i BIRN-it ka gjetur se disa qeveri në rajon thjesht nuk kanë ide se çfarë është ndërtuar dhe ku, ose se sa ka qenë kostoja për publikun- jo vetëm financiarisht, por edhe në përforcimin e ndarjeve etnike që çuan fillimisht në luftëra.

Monumentet zakonisht përkujtojnë luftëtarë të rënë, viktima të konflikteve, heronj historikë, aleatë të huaj, ose në disa raste, njerëz që nga vendet e tjera konsiderohen të jenë kriminelë lufte. Shumë pak prej tyre përpiqen të promovojnë pajtim ose një pikëpamje gjithëpërfshirëse për paqe.

Përkundrazi, ato shpesh promovojnë pikëpamje selektive dhe ndarëse të historisë, duke nxitur tensionet etnike- disa herë deri në atë shkallë sa sulmohen fizikisht, ose bëhen fokus i protestave të dhunshme, siç ka ndodhur me monumentet në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi këtë vit.

Mungesa e rregullimit të përgjithshëm, dhe mbikëqyrja jo e rregullt e ndërtimit të monumenteve nga zyrtarë komunalë dhe jo qeveritë e këtyre shteteve, është veçanërisht akute në Bosnjë dhe Kosovë, dy nga vendet e goditura më rëndë nga konfliktet në Ballkan në dy dekadat e fundit.

As autoritetet qendrore në Bosnjë, ose Kosovë nuk kanë ndonjë të dhënë zyrtare se sa monumente janë ngritur në periudhën e pasluftës, ose sa para publike janë shpenzuar në këtë projekte.

Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe refugjatët në Bosnjë, që është pjesërisht përgjegjëse për çështjet e memorializimit, tha për BIRN-in se nuk ekziston një regjistër qendror.

 “Ministria për të drejtat e njeriut dhe Refugjatët nuk ka pasur deri më tani kohë dhe burime të mjaftueshme për t’u fokusuar në mbledhjen e këtyre të dhënave”, tha Saliha Djuderija, këshilltare e ministrit.

143 komunat në Bosnjë janë përgjegjëse për dhënien e lejes për ndërtimin e monumenteve, edhe pse shumë prej tyre janë ndërtuar pa leje paraprake.

Edhe pse ekspertët besojnë se qindra monumente të reja janë ndërtuar në Bosnjë që nga lufta e viteve 1992-95, edhe komunat nuk mund të thonë saktësisht se sa.

Askush nuk e di sa është shpenzuar

Në Kosovë, ministria e Kulturës tha për BIRN-in se nuk ekziston një regjistër i plotë i monumenteve dhe shpenzimeve, edhe pse këmbënguli se që nga viti 2002 është bërë një lloj sondazhi.

 “Një inventar preliminar u bë vite më parë por nuk ishte mjaftueshëm i saktë”, tha Vjollca Aliu, drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në ministri, duke e përshkruar çështjen si “tepër sensitive”.

Xhejlane Hoxha, drejtoresha ekzekutive e Këshillit Kosovar për Trashëgimi Kulturore tha se po haset “me probleme serioze” për shkak të mungesës së të dhënave.

 “Këshilli Kosovar për Trashëgimi Kulturore ka mandat të deklarojë potencialin e trashëgimisë kulturore që duhet mbrojtur nga shteti. Ne bëjmë propozime dhe kërkesa për raste specifike, por të gjitha këto duhet të dalin nga një inventar që nuk ekziston”, tha Hoxha për BIRN-in.

Hoxha fajësoi zyrtarët e paaftë në Ministrinë e Kulturës në Kosovë për mungesën e inventarit.

 “Ministri [i kulturës] [Memli Krasniqi] ka vërtetuar në disa raste se është i interesuar ta bëjë këtë, por rreth tij ka persona të paaftë që nuk kanë ide si ta adresojnë këtë çështje”, tha ajo.

Ndërkohë autoritetet në Kroaci pranojnë se kanë shpenzuar miliona euro në ndërtimin e monumenteve për të përkujtuar luftëtarët dhe viktimat e luftës për pavarësi të vendit në vitet 1991-95, por gjithashtu nuk mund të japin shifra të sakta për shpenzimet.

Sidoqoftë, një tregues për shumën masive të investuar është “Monumenti për fitoren kroate”, në qytetin e Kninit, që u inaugurua në gusht të vitit 2011.

Monumenti i fitores kroate në Knin, Foto: Wikimedia Commons

Ky monument i vetëm, një nga qindra të ndërtuar në Kroaci që nga konflikti, kushtoi tetë milionë kuna (më shumë se një milion euro) nga paratë e qeverisë; në fakt doli aq i shtrenjtë sa autoritetet e mbetura pa fonde arritën të paguajnë vetëm një vit pasi ishte ndërtuar.

Sidoqoftë në Kroaci, ka një qasje më të rregulluar për estetikën e ndërtimit të monumenteve, ku memorialët për viktimat e luftës 1992-95 kanë një dizajn të standardizuar.

Në Serbi Ministria e Kulturës gjithashtu tha se nuk ka informata zyrtare për numrin e monumenteve të ndërtuara gjatë pesë vjetëve të fundit.

Në vitin 2012, qyteti i Beogradit ndërtoi një monument të dedikuar viktimave të luftës dhe “mbrojtësve” serbë që kushtoi 62.5 milionë dinarë (625, 000 euro), por kjo është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut që thonë se autoritetet po ofendojnë viktimat duke i vënë në të njëjtin nivel si luftëtarët.

Monumenti i viktimave të luftës dhe “mbrojtësve” serbë, Beograd, Foto: Wikimedia Commons

Shteti serb shpenzon gjithashtu 52,495,000 dinarë (477, 227 euro) çdo vit për të mirëmbajtur memorialin në Beograd të ish-liderit jugosllav, Josip Broz Tito.

 Motivet janë shpeshherë politike

Autoritetet në Mal të Zi mund të tregojnë se sa monumente janë miratuar për ndërtim në vitet e fundit, por nuk mund të thonë se sa para janë shpenzuar.

 “Që nga viti 2008, Ministria e Kulturës ka dhënë leje për ngritjen e 13 memorialëve (monumente, pllakate, buste), emërimin e 63 rrugëve dhe një riemërim të një institucioni publik”, tha për BIRN-in, Ministria e Kulturës në Mal të Zi.

Ligji në Mal të Zi thotë se memorialet mund të ndërtohen vetëm për të përkujtuar ngjarje të rëndësishme, personalitete të njohura, luftëtarë të lirisë, viktima civile të luftërave dhe tragjedi madhore dhe për të promovuar ideale humanitare dhe tradita kulturore-historike. Ato gjithashtu duhen miratuar nga Ministria e Kulturës.

Por ministria tha se vetëm autoritetet lokale mund ta dinë nëse monumentet e miratuara janë ndërtuar ose jo  dhe se sa kanë kushtuar.

 “Projektet shpesh lansohen nxitimthi, pa plan dhe motivet për implementimin e tyre janë shpesh të ndërlidhura me zhvillimet politike të kohës”, tha për BIRN-in, historiani i artit në Mal të Zi, Aleksandar Cilikov.

Sidoqoftë qeveria në Maqedoni ka dhënë shifra për ribërjen ekstravagante dhe kontroverse të kryeqytetit, të quajtur “Shkupi 2014”. Në mes të prillit, deklaroi se deri më tani kostoja ka qenë 208 milionë euro, përfshirë të gjitha monumentet, ndërtesat, dhe sheshet e ndërtuara si pjesë e projektit deri më tani.

Komuna Qendër në kryeqytet ka marrë 60 milionë euro nga shuma totale, shumicën e të cilës e shpenzoi në ndërtimin e monumenteve të reja, përshirë 10.5 milionë euro për statujën e Aleksandrit të Madh.

Përveç afërsisht 30 monumenteve që janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, pothuajse secila nga 80 komunat në Maqedoni ka ndërtuar një ose dy monumente me paratë e tyre në pesë vjetët e fundit.

Institucionet e qeverisë qendrore në Maqedoni nuk kanë të dhëna për këto shpenzime, ose njohuri se çfarë është ndërtuar dhe pse.

 Çdo familje do monumentin e saj

Mungesa e mbikëqyrjes së shpenzimeve publike është sigurisht një shqetësim për qytetarët e vendeve të varfra.

Por mungesa e kontrollit mbi çfarë lloj monumentesh po ndërtohen është gjithashtu shqetësuese në lidhje me pajtimin pas konfliktit.

Ndërtimi i parregulluar do të thotë se këto monumente mund të ofrojnë pikëpamje selektive të historisë së kohëve të fundit, nxitje të konflikteve etnike ose politike,  përkujtojnë vrasës edhe spastrues etnikë, ose të cenojnë dinjitetin e viktimave.

Hulumtuesi në Sarajevë, Nicolas Moll, që është specializuar në çështjen e ballafaqimit me të shkuarën, thotë se ndërtimi i monumenteve ka shkaktuar kundërshti në shoqëritë e paskonfliktit në gjithë Europën, por çështja është bërë akute në vendet e ish-Jugosllavisë, sepse kujtimet e luftërave të fundit janë akoma të gjalla.

 “Problemi kryesor nuk janë vetë monumentet, problemi kryesor është konteksti socio-politik që po krijon ndarje mes grupeve etnike ose politike dhe në të cilin po krijohen monumentet. Në një kontekst të tillë, monumentet kanë një potencial më të lartë për t’u bërë faktor ndarjeje dhe monumentet shpesh përdoren për të fajësuar “palën tjetër”, tha Moll për BIRN-in.

OJQ-ja në Prishtinë, Alter Habitus, që ka hulumtuar memorialët e ndërtuar mes vitit 1999 dhe 2009, tha në raportin e saj se shumica e monumenteve të reja janë ndërtuar për nder të “heronjve” guerilë nga lufta e viteve 1998-99, ose “martirëve” që vdiqën në betejë.

 “Zakonisht monumentet për martirët kanë një madhësi tepër të madhe. Tregojnë luftëtarin me krahë, granata dore, etj”, thuhet në raport, duke shtuar se vetëm pak monumente janë ngritur për gratë, “dhe ato që ekzistojnë kanë kryesisht simbolikë dhe janë ndërtuar me kontribut të familjes”.

Shumica e monumenteve të reja janë iniciativa private qëllimi dhe kuptimi i të cilave është i parregulluar.

Shumica janë propozuar nga “familjet e martirëve, organizatat e veteranëve të luftës, dhe në disa raste, nga asambletë komunale”, tha Alter Habitus.

Për shembull, në qytetin e Prizrenit, ku numri zyrtar i luftëtarëve të vrarë në luftë i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës është 157, tensionet lindën sepse shumë familje këmbëngulën për të ndërtuar monumente për të dashurit e tyre.

Shtatorja e Ismet Jasharit në Prizren, Foto: Marco Krojac

 “Shumica e familjeve duan të ndërtojnë një monument për familjarët e tyre që vdiqën gjatë luftimeve dhe duan ta kenë në qendër të Prizrenit.. Kemi pasur probleme të mëdha për t’i menaxhuar këto kërkesa”, tha për BIRN-in, Ruzhdi Rxha, nënkryetari i komunës së Prizrenit.

 “Kemi dy milionë banorë [në Kosovë], por duam dy milionë e një monumente”, tha  Rexha.

Në vitin 2005, tensionet pothuajse arritën në përplasje mes kryetarit të komunës së Prizrenit dhe veteranëve të luftës që këmbëngulën për të ngritur një monument për Ismet Jasharin,  ish-komandantin e UÇK-së të vrarë në vitin 1998, i njohur si komandant Kumanova, në qendër të qytetit.

Komuna nuk dha leje, por veteranët, të mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, lidershipi i së cilës ka dalë nga radhët e UÇK-së, e ngriti përmendoren gjatë natës.

 Po ndërtojmë mbi histori të rreme

Situata është kaotike gjithashtu në Bosnjë, ku disa monumente janë të rregulluara, për shembull pllakatet e standardizuara për personat e vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, por shumë prej tyre janë financuar nga shoqata të pavarura të viktimave, shoqata të veteranëve, familje individuale dhe donatorë privatë.

 “Nuk ka ligj, strategji, qasje të dyanshme dhe gjithëpërfshirëse për këtë çështje”, tha Goran Simiq, profesor i drejtësisë tranzicionale në Sarajevë.

 “Nuk ka kornizë për ndërtimin e monumenteve, ose për memorializimin në tërësi”, tha ai.

Ndarjet e ndërthurrura në sistemin kompleks politik të Bosnjës, me entitetet, kantonet, dhe komunat e saj, ka krijuar një situatë ku askush nuk mund të thotë me saktësi se kush po ndërton memorialë dhe nëse ata reflektojnë të vërtetën për konfliktet e viteve 90 ose thjesht nxisin paragjykim etnik.

 “Monumentet janë ndërtuar në bazë të historisë dhe dokumenteve gjysmë të rreme,  dhe kush e di se me çfarë parash”, tha Simiq.

Një memorializim i rregulluar në nivel të shtetit në Bosnjë, do të ishte një hap përpara,  sugjerohet në dokumentin e vendit për strategjinë e drejtësisë tranzicionale, që u draftua në vitin 2012, por që ende nuk është miratuar zyrtarisht.

Disa nga ekspertët që draftuan strategjinë besojnë se procesi i memorializimit është politizuar, duke ofruar një pikëpamje të njëanshme të së shkuarës, ku disa grupe etnike ndalohen të ngrenë memorialë ose edhe të bëjnë respekt simbolik për të vdekurit e tyre.

Legjislacioni që qeveris miratimin e memorialëve të rinj nga autoritetet lokale nuk aplikon ndonjë kriter të drejtësisë tranzicionale në procesin e vendimmarrjes, thuhet në dokumentin e strategjisë.

 “Disa komuna dyshohen të kenë refuzuar të japin fonde për monumente për palën tjetër ose nuk kanë lejuar atë grup të ngrejë një monument me shpenzimet e veta”, thuhet në dokument.

 “U zbulua gjithashtu se disa monumente janë shkatërruar me qëllimin për të ofenduar viktimat e grupeve të tjera etnike”, shtohet aty.

Sidoqoftë, Nicolas Moll beson se grupet e viktimave lokale kanë një rol të rëndësishem për të luajtur në përzgjedhjen e monumenteve që reflektojnë realitetin e asaj çfarë ka ndodhur gjatë luftës në zonat e tyre.

 “Ligjet duhet të sigurojnë një kornizë dhe të vendosin limite (për shembull të ndalohen mbishkrimet që fajësojnë kolektivisht një grup), por ato nuk duhet të rregullojnë çdo gjë dhe duhet të lënë hapësirë për anëtarët e komuniteteve lokale të përfshirë në procesin e vendimmarrjes në lidhje me ndërtimin e monumenteve”, tha ai.

Vetëm kur memorialët e luftës të reflektojnë realitetin se si grupet e ndryshme etnike në ish-Jugosllavi kanë vuajtur gjatë konflikteve, mund të ketë një rrugë drejt pajtimit, tha për BIRN-in, Sandra Orloviq, drejtoresha e Qendrës së të Drejtës Humanitare në Beograd.

 “Shoqëria ka nevojë të tregojë ndjeshmëri për viktimat e një feje ose kombi tjetër që janë vrarë”, tha Orloviq.

Tamara Banjeglav, koordinatore e programit të memorializimit në qendrën Documenta në Zagreb, tha se përveç njohjes së vuajtjeve të së shkuarës, memorialët duhet të promovojnë një kulturë tolerance.

 “Procesi i krijimit dhe ndërtimit të memorialëve ka kapacitetin të detyrojë shoqëritë të përballen dhe të vënë në pyetje në mënyrë kritike të shkuarën dhe arsyet për të”, tha Banjeglav.

Ekipi raportues:  Elvira M. Jukiq, Sinisa Jakov Marusiq, Milena Miloseviq, Boris Paveliq, Edona Peci, Marija Ristiq.

ETIKETA

09 Korrik 2013 - 10:47

BIRN 09/07/2013 - 10:47
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Ballkan- Monumentet Mbijnë Pas Luftërave

by Gazeta JNK
NA NDIQNI