Donald Trump dhe Hillary Clinton

Gara Clinton- Trump Përçan Sarajevën

Boshnjakët në qytetin me shumicë myslimane të Sarajevës u tubuan në mbështetje të kandidates demokrate për presidente Hillary Clinton të shtunën, ndërsa një tjetër grupim në mbështetje të kandidatit republikan Donald Trump u mbajt në Sarajevën Lindore të dominuar nga serbët, disa kilometra më tej.

Turma qytetarësh të Sarajevës nënshkruan një letër mbështetjeje për Clinton të shtunën, duke dënuar retorikën e fushatës së Trump.

Organizuesi i eventit pro-Clinton Mirza Hulusic tha se retorika “tmerruese” e Trump ishte “e njëjta… me atë që dëgjuam në Ballkan kur Sarajeva ishte e rrethuar”, duke iu referuar luftës së vitit 1992 në Bosnje kur qyteti u rrethua nga serbët e Bosnjës.

Hulusic, një arkitekt, tha se ai e organizoi eventin për të treguar mbështetje për vlerat “e qytetëruara” të Clinton dhe për ta pranuar atë si një mike prej kohësh të Bosnjes.

Burri i Clinton, Bill, ndërsa ishte president në vitin 1995 udhëhoqi aksionin ushtarak të NATO kundër serbëve të Bosnjës që i dha fund rrethimit të Sarajevës dhe luftës në vend.

“Ka shumë Trump të vegjël në këtë rajon… duhet të tregojmë se Bosnja nuk është për këtë lloj retorike,” tha Hulusic.

Sabit Grabus, një 39-vjeçar që punon si menaxher dhe që nënshkroi letrën e mbështetjes për Clinton tha se SHBA luajti një rol të rëndësishëm në botë, ndërsa fjalimet e Trump i kujtonin atij ato të ish-liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, arkitekt i rrethimit të Sarajevës.

Mirsad Kebo, ish-president i entitetit të Federatës së Bosnjës, tha se eventi ishte një mundësi për qytetarët të pozicionohen në anën e paqes dhe demokracisë përkundrejt “absolutizmit, diktaturës dhe tiranisë”.

Ndërkohë një tubim paralel i një natyre më pak serioze u mbajt në Sarajevën Lindore të dominuar nga serbët të dielën në mbrëmje në mbështetje të Donald Trump, simpatia e të cilit për Rusinë dhe liderin rus Vladimir Putin e ka bërë atë të njohur mes shumë serbëve pro-rusë.

Sarajeva Lindore ndodhet në entitetin boshnjak të dominuar nga serbët, Republika Srpska.

Srdjan Mrsic, një poet dhe nëpunës civil tha për BIRN se tubimi – që tërhoqi më tepër gazetarë se mbështetës të Trump – ishte organizuar si parodi ndaj eventit në Sarajevë.

Ai nuk ishte një mbështetës i Trump por besonte se tubimi për Clinton ishte “çmenduri” sepse “ne nuk jemi të interesuar në zgjedhjet në SHBA.

Parodi ose jo, një grup pensionistësh serbë të bosnjës u paraqitën për të mbështetur Trump pa e ditur se protesta ishte parodi.

Dane Grabez, një pensionist tha se e pëlqente Trump sepse ai ishte kundër bombardimit nga NATO të serbëve  të Bosnjës në 1995 dhe të Serbisë në 1999 dhe për shkak se populli serb ishte i mirë, i ndershëm dhe punëtor”.

“Ndaj erdha të mbështes Trump krahasuar me Clinton” tha Grabez.

“Ajo gënjeu për luftën duke thënë se u qëllua në Tuzla teksa vrapoi për në aeroport dhe rezultoi që nuk ishte e vërtetë,” tha ai sipas Klix.ba.

Kjo i referohej pretendimit të hedhur poshtë të Clinton se në 1996 avioni i saj u qëllua nga një snajper serb në Tuzla në Bosnjën veriore.

Megjithatë lufta në Bosnje atëherë kishte përfunduar.