FSK-ja nuk i ka Rekrutuar të Gjithë Rezervistët e Saj

Një pyetje e deputetes së LDK-së Vjosa Osmani ka zbuluar se FSK-ja nuk ka rekrutuar të gjithë ushtarët rezervë të saj që duhet të ketë sipas ligjit.

Osmani në kohën e pyetjeve parlamentare në seancën e Kuvendit e pyeti ministrin e FSK-së Rrustem Berisha se si po kërkohen kompetenca shtesë për këtë forcë, kur ka dështuar të kompletohet përbërja rezervë e saj.

“Që nga themelimi i FSK-së e deri më 2012 FSK-jA ka rekrutuar dhe trajnuar 359 pjesëtarë të komponentë rezervë. Që nga 2012 nuk ka pasë rekrutim”, tha ministri Berisha.

Ai tregoi arsyet pse nuk ka ndodhur një rekrutim i tillë.

“E arsyet pse nuk ka pasë rekrutim janë shumë ngjarje, si rishikimi i sektorit të sigurisë, struktura e re që do të formohet, s’ka pasë edhe kërkesa për plotësimin e vendeve rezervë. Është gjendje që unë e kam trashëgu”, tha ministri Berisha.

Ministri më tutje deklaroi se është objektiv i tij plotësimi i komponentës rezervë të FSK-së.

Deputetja Osmani pastaj pyeti ministrin se a ka kërkuar buxhet shtesë për rekrutime në FSK.

“Sa i përket buxhetit të alokuar, nga Ministria e Financave është i paraparë për 3324 pjesëtarë, ku përfshihen pjesëtarë aktualë, të FKS-së, pjesa civile, pjesa rezervë dhe kadetë. Nuk janë të parapara për pjesën rezervë, por e kemi bisedu këtë çështje e besoj në bashkëpunim me Ministrinë e Financave në të ardhmen te kemi mundësi ta plotësojmë komponentën rezervë”, tha ministri Berisha.