Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai kosovar, Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Edi Rama i Përgjigjet Albin Kurtit

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i është përgjigjur Albin Kurtit pas reagimit të këtij të fundit rreth deklaratave të shefit të Qeverisë së Shqipërisë të dhëna lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pas një takimi që ka pasur me homologun kosovar, Ramush Haradinaj.

“I dashur Albin! Faktet s’janë opinione dhe kufijtë nuk përcaktohen me opinione! Sa për tokën po ta kujtoj që unë nuk fal as det jo më tokë (Shqipërie)”, ishte komenti i kryeministrit Rama drejtuar zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti ka reaguar sot përmes një postimi në “Facebook” ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar, i cili dje kërkoi nga homologu i tij i Kosovës, Ramush Haradinaj ta ndryshojë qëndrimin kundërshtues rreth marrëveshjes së demarkacionit të kufirit Kosovë- Mali i Zi.

Në një deklaratë të shkruar, Kurti kërkoi nga Rama që të angazhohet në përmbushjen e marrëveshjeve të nënshkruara Kosovë- Shqipëri, e jo të merret me udhëzime për marrëveshje të Kosovës me shtete tjera.

Gjatë takimit të djeshëm në Tiranë, kryeministri Rama tha se kryeministrit Haradinaj i duhet edhe ca kohë të ndahet nga pozicioni opozitar në çështjen e demarkacionit me Malin e ZI.

E Albin Kurti ka reaguar pikërisht ndaj kësaj kërkese, sipas tij, të Edi Ramës që Ramush Haradinaj të ndërrojë qëndrim rreth demarkacionit.

“Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit”, ka shkruar Kurti, duke paralajmëruar se me 31 kolegët e tij deputetë nga radhët e VV-së do të merren në Kuvend në mënyrën më meritore me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi.

“Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur”, ka shkruar po ashtu Albin Kurti.