Foto: Ilustrim

Ditën e Dasmës e Kalojnë në Stacionin Policor

Tre persona janë arrestuar pasi sipas Policisë dyshohen se kanë poseduar armë të mbajtur ilegalisht dhe se kanë gjuajtur me të në një aheng familjar.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Agron Borovci, tre persona janë arrestuar pasi sot rreth orës 13:00 Policia kishte marrë informatë për të shtëna me armë në rrugën “Isa Kastrati” në lagjen Mati në kryeqytet.

Ai shtoi se pas informatës njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arritur të kontaktojnë me 42-vjeçin me inicialet M. K., i cili e kishte martuar vëllanë.

Pasi që nuk kanë mundur ta identifikojnë se kush shtiu me armë në ahengun familjar, zyrtarët policorë kanë bastisur shtëpinë e 42-vjeçit, ku kanë gjetur vetëm dy gëzhoja.

“Pas punës operative qe ka bërë  Policia është arritur deri te ngritja e dyshimit të arsyeshëm se me armë ka shtënë M. K. 29-vjeç. Ndërkohë që puna policore ka vazhduar policia ka ngritur dyshimin se revolja e tipit TT 7.62 mm është pronë e S. K. 40-vjeç. Arma e tipit TT  dhe një karikator i zbrazët janë konfiskuar për procedim te mëtejmë”, ka thënë Borovci.

Pas konsultimit me prokurorin e shtetit ndaj tre të dyshuarve është iniciuar rasti për posedim dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar te armës dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh dhe të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

Në këtë periudhe kohore kur dasmat dhe ahengjet janë të shumta policia apelon edhe njëherë te të gjithë qytetarët që të shmangin veprime të tilla të rrezikshme dhe të jashtëligjshme sepse në të kundërtën të gjithë ata që implikohen në të tilla veprime do të hasin në reagimin e menjëhershëm policor konform autorizimeve ligjore, ka tërhequr vërejtjen zëdhënësi i policisë.