Takimi Berisha- Cooper | Foto: MFSK

Cooper: E Duam Kosovën me Prosperitet

Laura Cooper, zëvendës-ndihmës-sekretarja e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së në një takim me ministrin e FSK-së Rrustem Berisha tha se është detyrë e Amerikës ndihmimi i Kosovës për të arritur objektivat e saj.

“Ne e duam Kosovën të lirë, të pavarur dhe me prosperitet. Më vjen mirë që kemi vizion të ngjashëm me ju për të ardhmen e Kosovës, po ashtu është edhe detyra e jona të ndihmojmë në realizimin e këtyre objektivave”, tha Cooper, sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e FSK-së.

Cooper më tutje kërkoi që për ndryshimet e nevojshme duhet të merret edhe angazhimi i komuniteteve joshumicë.

“Me rëndësi që të merret angazhimi i të gjithë faktorëve të rëndësishëm për këto ndryshime, e në këtë rast edhe i komunitetit joshumicë”, tha më tutje Cooper.

Ministri Berisha e falënderoi zyrtaren amerikane për ndihmën që ky shtet po i jep Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ministri Berisha e ka falënderuar zonjën Cooper për donacionet, trajnimet, shkollimet dhe ushtrimet e përbashkëta të realizuara deri më tani, e që përbëjnë esencën e këtij bashkëpunimi të cilin duhet thelluar edhe më tej”, thuhet më tutje në komunikatë.

Sipas komunikatës, Berisha “e ka njoftuar zyrtaren e lartë nga SHBA-të, me aktivitetet aktuale, planet e zhvillimit, sfidat si dhe procesin e zhvillimit dhe aktiviteteve konkrete për  transformim e FSK-së në FAK”.

Ai ka falënderuar ShBA-në edhe për bashkëpunimin e Gardës Kombëtare të Ajovas me FSK-në.