Nga seanca për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Avokati Konteston Motoçikletën si Provë

Motoçikleta që u gjet pas sulmit në Kuvend, për të cilën prokuroria pretendon se u ble nga aktivistët e akuzuar të “Vetëvendosjes” para sulmit të gushtit të vitit 2016 ndaj ndërtesës së Kuvendit, u kontestua si provë nga Ramiz Krasniqi, avokati i Atdhe Arifit.

“Nëse nisemi nga motoçikleta e gjendur si e djegur në një lokacion të caktuar, del se kjo ose është një ose mund të jenë dy ose tri”, tha avokati Krasniqi në seancë.

Ai u shpreh i habitur se si pranë motoçikletës së djegur u gjet një letër e padjegur me numra telefonash.

“Është shumë interesant se disa fotografi flasin për një motoçikletë të djegur në zhavorr ku çuditërisht është një letër me disa numra të telefonit që nuk është djegur dhe pastaj flitet për një molotov sepse aty ku ka molotov aty është ‘Vetëvendosje”, tha Krasniqi.

Ai më tutje deklaroi se aktakuza duhet të hedhet poshtë.

“Aktakuza është shumë e pabazuar dhe të gjitha provat shkojnë në favor të akuzuarve dhe zgjidhja më e mirë do të ishte hedhja e saj”, tha Krasniqi.

Por prokurori Avdurrahim Islami propozoi që të gjitha kundërshtimet ndaj aktakuzës të hedhen poshtë, pasi sipas tij ajo është ngritur në bazë të Kodit të Procedurës Penale me prova të mjaftueshme për ata që janë cekur në aktakuzë.

Aktivistët e “Vetëvendosjes u arrestuan më 30 gusht 2016.

http://kallxo.com/gjashte-te-arrestuar-per-sulmin-ne-kuvend/

Shkrimet që lidhen me sulmin në Kuvend mund t’i lexoni këtu.