Foto: Kallxo.com

Mungon prokurorja, shtyhet seanca e gjykimit ndaj aktivistëve Vetëvendosjes për sulmin ndaj Kuvendit

Seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e rigjykimit të aktivistëve dhe ish-aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin ndaj ndërtesës së kuvendit ka dështuar të mbahet.

Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra ka njoftuar të pranishmit se në seancën e sotme nuk është e pranishme prokurorja e Prokurorisë Speciale.

“Prokurorja e cila ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar”, tha Kalludra.

Në ndërkohë Kalludra ka thënë se përmes telefonitështë njoftuar nga prokurorja e rastit Fikrije Krasniqi Fejzullahu se “nuk ka pasur njohuri për mbajtjen e kësaj seance”.

Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin të akuzuarit Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi.

Ata akuzohen nga Prokuroria për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Në sallë pas trupit gjykues ka ardhur Albulena Haxhiu.

Ndërsa në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme e shtyre, kurse e radhës është caktuar me 27 tetor.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e shkalles së dytë ajo e Apelit.

Kurse nga gjykata e shkallës së parë Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë, ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.