Dëshmitari në rastin e sulmit në Kuvend: "Disa pjesë të dëshmisë m'i kanë shtuar"

Skender Imeri, dëshmitar në rastin e gjykimit të atëherë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje doli sot sërish para Gjykatës së Prishtinës për të dhënë dëshminë e tij në rastin e sulmit në Kuvend.

 

 

Të akuzuar në këtë rast janë Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit ndërsa në seancën e sotme u dëgjuan tre dëshmitarë.

Dëshmitari Skender Imerim u pyet nga prokurorja e rastit se a qëndron pas deklaratës së dhënë në polici. Dëshmitari tha se qëndron pas saj, por se sipas tij disa pjesë ia kanë shtuar.

“ Po vetëm do mi kanë shtu, gjyqtar “, tha dëshmitari Imeri.

Dëshmitari është ballafaquar nga prokurorja Fejzullahu, me deklaratën kur iu ishte kërkuar nga policia që të përshkruajë motorin dhe personat të cilët kishin qenë në motor.

Në këtë deklaratë, dëshmitari kishte thënë se nuk i kujtohet ngjyra e motorit.

“ Për shkak të shqetësimit që kam ndje nuk më kujtohet ngjyra e motorit, mirëpo e di që kanë qenë dy persona, me sa më kujtohet drejtuesi i motorit ka qenë me helmetë ndërsa personi tjetër i ulur mbrapa nuk ka pas helmetë dhe ka qëndruar i mbështetur mbi shoferin e motoçikletës dhe keni vazhduar shoferi ka qenë me i vogël se pasagjeri, ngase pasagjeri rrinte si i kërrusur mbi shoferin nuk me kujtohet ngjyra e motorit…ngase dukshmëria ishte e dobët “, lexoi prokurorja.

Por dëshmitari ka shtuar se për aq sa i kujtohej atij ai nuk kishte përmendur persona, helmeta siç thuhet në deklaratën të cilën e lexoi prokurorja  në seancë.

“ Sa më kujtohet unë jam pyetur se a keni parë diçka pas gjuajtjes së kuvendit, ne kemi dal pas kësaj ngjarje çka kemi qellu afër, me shiku çka po ndodh dhe unë as nuk kam than dy persona, as me helmeta, as më i madh as me i vogël, ka qenë tollovi, kallabllak ka qenë errësirë dhe nuk kam mundur me identifiku askënd “, tha dëshmitari.

Dëshmitari Eset Ramadani ishte ftuar nga gjykata për të dëshmuar lidhur me rrethanat që kanë të bëjnë me identifikimin përmes fotografive të të pandehurve Haliti e Arifi.

Kurse i pyetur nga prokurorja Fikrije Fejzullahu nëse kishte në shitje ndonjë motor tjetër përveç atij për të cilin bëhet fjalë në këtë rast, dëshmitari ka thënë se nuk kishte pasur.

Tutje duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të pandehurit Atdhe Arifi, avokati Ramiz Krasniqi nëse qëndronte pranë deklaratës së tij të dhënë më herët se “ përafërsisht “ i kishte identifikuar të pandehurit, dëshmitari Ramadani ka thënë se ai ishte deklaruar ashtu edhe në polici dhe qëndronte pas deklaratës së tij dhënë në vitin 2016.

“ Unë tërë atë identifikim e kam bërë të përafërt me personat që ua kam shit motorin, unë njëjtë kam deklaruar si këtu si atje, edhe atje kam deklaruar se përafërsisht kam bërë identifikimin “, tha dëshmitari Ramadani.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Refki Jashari, i cili ka mbetur pranë deklaratës së dhënë në polici në gusht të vitit 2016.

Jashari ka thënë se ishte i vërtetë deklarimi i tij në këtë deklaratë se në natën kritike kishte dëgjuar vetëm një krismë dhe se pas sulmit ndërhyrja e policisë kishte qenë shumë e shpejt.

Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi po akuzohen nga Prokuroria për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Seanca e sotme është shtyrë pas propozimit të mbrojtësve të të pandehurve që të ftohen për tu dëgjuar dëshmitarët Egzon Metolli, Remzi Zogiani dhe Korab Veseli, propozim ky që është aprovuar nga trupi gjykues.

Gjyqtari Kalludra ka njoftuar se të lartcekurit ishin ftuar për këtë seancë por sipas fletëkthesës nuk ishin gjetur në adresën e dhënë.

Në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra ka refuzuar kërkesën e avokatit të Frashër Krasniqit, Florent Latifaj i cili me anë të një parashtrese kishte kërkuar që procesverbali mbi identifikimin e personave përmes fotografive të shpallet si provë e papranueshme.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 17 dhjetor.

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e se Apelit.

Kurse nga gjykata e shkallës së parë Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë, ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Mungon prokurorja, shtyhet seanca e gjykimit ndaj aktivistëve Vetëvendosjes për sulmin ndaj Kuvendit