Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Vrasjen e Kreva nga Pakujdesia e Jo me Dashje

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar kundër të akuzuarit Drashko Stepiq.

Sipas aktakuzës, Stepiq në maj të këtij viti, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Murat Kuqi, duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë të cilët ishin prezentë në kafenenë e cila ishte në pronësi të tani të ndjerit.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari kishte goditur Murat Kuqin.

“Derisa Murat Kuqi ishte duke shërbyer në tavolinë Muharrem Halitin dhe Dejan Dujoviqin i pandehuri Drashko është futur brenda në kafene dhe nga çanta e tij ka nxjerr armën e zjarrit pistoletë. I njëjti kishte filluar të manovrojë me armën në dorë dhe në momentin kur e rapetitë arma ka shkrepë dhe e ka goditur të ndjerin Murat. Plumbi kishte goditur në gjoks në anën e majtë, në zemër, ku si pasojë e shqyerjes se zemrës dhe mushkërive i njëjti vdes menjëherë“.

Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Kurse me  13 maj 2017 në shtëpinë e tij në Mitrovicën Veriore ka mbajtur pa leje valide armën e zjarrit, e cila gjatë kontrollimit të shtëpisë dhe objekteve tjera në pronësi të të pandehurit është gjetur nën kotecin e pulave e mbuluar me dhe, armë kjo që ishte konfiskuar nga Policia.

Me këtë ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës, në bashkim real me veprën tjetër penale të cekur më lartë.

I akuzuari u deklarua rreth fajësisë. Ai tha se nuk e kishte bërë me dashje vrasjen.

“E pranoj se e kam vrarë tani të ndjerin Murat Kuqi, por kjo vrasje nuk është bërë me dashje, por nga pakujdesia. Prandaj një kualifikim të tillë nuk e pranoj pasi që këtë vepër nuk e kam kryer me dashje“, tha i akuzuari.

I njëjti u deklarua edhe sa i përket veprës tjetër – armëmbajtje pa leje, të cilën vepër e pranoi.

“Sa i përket veprës së dytë e pranoj fajësinë, por revolen vet e kam dorëzuar në polici dhe nuk është gjetur në kotec siç shkruan në aktakuze“, tha ai.

Avokati mbrojtës i të pandehurit Faruk Korenica propozoi që të pranohet fajësia edhe për veprën e parë penale vrasje nga pakujdesia por edhe për veprën e dytë.

“Propozoj që të pranohet fajësia edhe për veprën e parë penale, vrasje nga pakujdesia, pra propozoj që të bëhet rikualifikimi nga vepra penale vrasje e rëndë në veprën penale vrasje nga pakujdesia, pasi që i akuzuari edhe për këtë vepër e pranoi fajësinë“, tha ai.

Avokati gjithashtu propozoi që t’i ndërpritet masa e paraburgimit të pandehurit pasi më herët edhe kishte paraqitur ankesë për aktvendimin mbi vazhdimin e paraburgimit.

Sipas tij, familja e tani të ndjerit dhe e të akuzuarit janë në marrëdhënie të mira prandaj edhe kanë pushuar kushtet për vazhdimin e kësaj mase.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja e rastit Zejnije Kela, e cila deklaroi se nuk ishte e informuar për raportet familjare në mes dy familjeve dhe nuk kishte prova nëse vërtetë janë përmirësuar raportet në mes këtyre familjeve.

Gjyqtari Beqir Halili njoftoi të akuzuarin se ka të drejtë të paraqes ankesë për provat e paraqitura në aktakuzë në afat prej 30 ditëve.

Gjykata me aktvendim vendosi se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet ndërsa sa i përket kundërshtimeve për provat do të merret vendim jashtë seancës gjyqësore.