Aktakuzë për ushtrim ndikimi rreth pensioneve të veteranëve

Një prokuror i EULEX-it ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave që mes tjerash akuzohen se ushtruan ndikim në lidhje me pensionet e veteranëve

Gjashtë persona janë akuzuar nga një prokuror i EULEX-it për posedim të paautorizuar të armëve, mundësim ose detyrim në prostitucion, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Për këtë rast, sipas komunikatës së Prokurorisë së Shtetit, Policia e Kosovës dhe EULEX-i kishin nisur hetimet në janar të vitit 2016.

“Hetimet kanë sjellë zbulimin e një rrjeti ilegal të tregtimit të armëve dhe një sasie të armëve që përbëheshin nga eksplozivë dhe dy armë automatike. Përveç këtyre, në posedim të pandehurve ishin kapur edhe disa armë tjera të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Komunikata tregon se të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi në lidhje me pensionet e veteranëve të UÇK-së.

“Të pandehurit pretendohet se kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro”, thuhet në komunikatë.

Mes të pandehurve, komunikata sqaron se janë dy falsifikues të statusit të veteranëve dhe një përfitues fals i pensionit.

“Tre të pandehur janë akuzuar për veprat penale në lidhje me këto veprimtari (ushtrim i ndikimit, mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve), nga të cilët dy ishin falsifikuesit e këtij statusi me anë të mashtrimit, ndërsa njëri ishte përfitues i statusit të falsifikuar të veteranit të luftës”, vijon komunikata.

Njëri nga të pandehurit akuzohet për detyrim të një gruaje në prostitucion.

“Në të njëjtën kohë, njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave; duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj dhe duke përfituar nga kjo veprimtari”, përfundon komunikata.

Aktakuza është ngritur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Një pjesë e veteranëve të UÇK-së protestuan më 10 prill kundër veteranëve të rremë.