AKP Pezullon Vendimet e Mëhershme për Riorganizimin e Pallatit të Rinisë

Pas premtimit të kryeministrit Ramush Haradinaj se Pallati i Rinisë në periudhën pas 2 apo 3 muajve do të bëhet ndërmarrje publike dhe do të largohet nga kompetencat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka marrë vendim sot të pezullojë të gjitha vendimet dhe udhëzimet e mëhershme lidhur me riorganizimin e kësaj ndërmarrjeje shoqërore deri në një vendim tjetër.

Po ashtu, janë udhëzuar zyrtarët përkatës që deri në një vendim apo udhëzim tjetër të vazhdojnë dhënien me qira të lokaleve të lira sipas dispozitave ligjore dhe autorizimeve të veta.

Në mbledhjen e sotme, Bordi i Drejtorëve miratoi valën e shitjes ‘Vala alternative e shitjeve – SHAL 38A’ ku do të shpallen për shitje 10 asete që konsiderohen më atraktive.

http://kallxo.com/haradinaj-kerkese-akp-se-pallati-rinise-ti-rikthehet-komunes-se-prishtines/

Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi i Drejtorëve diskutoi për valën e fundit të shitjeve të aseteve të ndërmarrjeve në likuidim me nr.36 që u realizua gjatë këtij muaji dhe me këtë rast aprovoi transaksionet e aseteve që ishin për shitje në tenderin publik.

Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve kërkoi që të rishikohen aspektet teknike të shtojcave të Rregullave të Tenderit me qëllim të ofrimit të lehtësirave për ofertuesit gjatë procesit të ofertimit, ndërsa ndryshimet e mundshme do të sillen për amandamentim në mbledhjen e ardhshme të bordit.

Bordi diskutoi dhe e miratoi raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore MIT015 Extra, PRZ038 Dardania dhe PRZ047 Prizren Trans.

Në këtë mbledhje të Bordit u diskutua edhe lidhur me NSH “Univerzal” Leposaviq, me ç’rast bordi kërkoi që të iniciohet procedura dhe të merren hapat e nevojshëm për futjen në administrim të këtij aseti deri në shpallje publike për qiradhënie apo shitje të asetit në fjalë.

Vendimin e kryeministrit Haradinaj në lidhje me Pallatin e Rinisë e kishte përshëndetur edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. /21Media