Foto: RTV 21

‘Ajri i Ndotur Maqedonisë i Kushton 250 Milionë Euro’

Tetova ishte qyteti më i ndotur në botë.

Tani në vitin 2017 ky qytet po i jep shembull Shkupit, i cili ditëve të fundit ishte qyteti më i ndotur në botë.

Mbyllja e Jogohromit dhe pastrimi i deponisë tashmë dhanë rezultatet e veta.

Elmedina Abdullai nga lëvizja “Nëna dhe Fëmija” thotë se ndotësi më i madh në Tetovë ishte Jugohromi, por sipas saj mbyllja shkritores u bë pas një presioni dhe këmbëngulje të qytetarëve.

Ajo theksoi se edhe në Shkup qytetarët duhet të aktivizohen, që autoritetet të marrin masa, shkruan tv21.tv.

“Nëse nuk kërkohet zgjidhja e problemit askush nuk do të vijë t’i zgjidh problemet. Kjo u dëshmua se në këtë shtet, pa kërkuar, asgjë nuk ndodh”, tha Avdullai.

Ajo deklaroi se nga ndotja po rrezikohen sidomos fëmijët.

Duhet të jeni të sigurt se jeta dhe shëndeti i fëmijëve është në rrezik. Edhe fëmijët, edhe gratë shtatzëna, edhe fëmijët me të meta dhe me kapacitet të zvogëluar të mushkërive, mirëpo edhe fëmijët që kanë lindur të shëndoshë janë të rrezikuar nga sëmundjet e llojeve të ndryshme”, tha Elmedina Abdullai, nga “Nëna dhe Fëmija”.

Nga ana tjetër Arianit Xhaferi nga Organizata “Ekko Guerilla” tha se, ndotja Maqedonisë i kushton 253 milionë euro në vit.

“Ndotja shkakton sëmundje të ndryshme të cilat sigurisht mbulohen edhe nga fondi shëndetësor i Maqedonisë. Po ashtu humbja e ditëve të punës të atyre njerëzve të sëmurë, një matematikë që është kryer nga Banka Botërore, e nxjerrë se Maqedonia ka humbje 250 milionë euro shkaku i ndotjes së ajrit”, u shpreh Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.

Ndryshe nga dje, Shkupi sot nuk është në top dhjetëshen e qyteteve më të ndotura në botë.

Në qendër të Shkupit grimcat PM10 sot janë 54, në Gazibabë 67, ndërsa ajri më i ndotur është regjistruar në rajonin e Rektoratit, 176.