Ahmeti: Biblioteka e Re ka Nevojë për Lexues të Rinj

Biblioteka e filluar në mandatin e kaluar në këtë komunë, u hap sot zyrtarisht për lexues e vizitorë.

Shpend Ahmeti kryetar i Prishtinës u ka bërë thirrje të rinjve që të shpeshtojnë shprehinë e leximit dhe ka ftuar studentët për të shfrytëzuar hapësirat për mësim.

“Besoj dhe shpresoj që edhe shumë fëmijë tani do të marrin libra nga kjo bibliotekë, studentët të mësojnë, sepse tani nuk mund të ankohen se nuk kanë vend për të mësuar, veç a dojnë. Besoj që kushtet janë më të mira se edhe në bibliotekën e Universitetit të Prishtinës,” tha Ahmeti gjatë përurimit.

Falënderues për këtë projekt u shpreh Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës duke shpresuar që do të vazhdojë trendi i rregullimit të bibliotekave nëpër Kosovë.

“Ka 70 vjet që kjo bibliotekë e Prishtinës përçon përmes gjeneratave misionin fisnik të shpërndarjes së librit duke ushqyer dhe përcjellë ëndrrat për hapësira më të mëdha të cilat sot po bëhen realitet,” tha Hyseni.

Ndërkaq Besart Vllahinja, drejtor komunal i Kulturës deklaroi se përveç hapësirave të reja, libra dhe tituj të shumtë do të jenë në dispozicion të lexuesve të zonave urbane dhe rurale.

“Biblioteka si institucion me thesarin e vet të pamoshë librin do të jetë në dispozicion të lexuesve edhe në katër degët tjera të qytetit si dhe në gjashtë degët tjera në zonat rurale,” deklaroi Vllahinja.

Sipas drejtorit të kulturës,objekti i ri i bibliotekës ka sipërfaqe prej 5 mijë e 800 metrash katrorë. Është paraparë edhe një fond prej 50 mijë eurosh për sigurimin e titujve të rinj profesionalë për pasurimin e fondit të bibliotekës.