Nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Bibliotekës Presidenciale “Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për themelimin e Bibliotekës Presidenciale “Ibrahim Rugova”.

Presidentja Osmani-Sadriu tha se kjo bibliotekë do të përmbajë përpjekjet e popullit për themelimin e shtetit të Kosovës.

“Familja e Ibrahim Rugovës do t’i dorëzojë Bibliotekës Presidenciale materiale e dokumente, së bashku me Bibliotekën Kombëtare e cila do të dorëzojë po ashtu materiale për presidentin Rugova”, tha Osmani.

Ajo tha se kjo bibliotekë do të ketë model amerikan dhe se kanë marrë përkrahje nga Departamenti i Shtetit.

Ministri Çeku i bëri thirrje institucioneve kulturore dhe më gjerë që të kontribuojnë në pasurimin e bibliotekës.

“Duke e krijuar këtë institucion përpos që nderojmë figurën e tij edhe institucionet kulturore të Kosovës do të kontribuojnë në pasurimin e saj”, tha Çeku.

Ndërkaq për lokacionin e Bibliotekës, Osmani-Sadriu tha se fillimisht do vendoset në Presidencë e pastaj me MKRS-në do të gjejnë një vend të përshtatshëm për vendosjen e saj.

Osmani – Sadriu, gjatë muajit maj, në nisjen e edicionit të 18-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” kishte premtuar themelimin e kësaj biblioteke.

Kjo bibliotekë do të mbledhë dhe ruajë dokumente e materiale që dëshmojnë periudhat historike të shtetësisë së Kosovës, mbi të gjitha për presidentin “Ibrahim Rugova” dhe bashkëpunëtorët e tij.