Ilustrim: Kallxo.com

Agim Bahtirit i Kërkohen 25 Mijë Euro Kompensim për Deklaratat për Djathin

Disa deklarata të dhëna gjatë një përballje mes dy kandidatëve për të udhëhequr me qytetin e Mitrovicës, i kanë kushtuar me padi për shpifje kryetarit aktual të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Edhe pse lehtësisht arriti të triumfojë në garën zgjedhore ndaj Fehmi Feratit, kandidatit të Vetëvendosjes, tani Bahtirit po i kërkohet llogari për disa deklarata të dhëna në një emision televiziv.

Pavarësisht se VV e Feratit dhe AKR e Bahtirit janë në koalicion në komunën e Mitrovicës, Ferati përmes avokatit të tij, Arianit Koci, ka ushtruar padi për shpifje në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ndaj kryetarit Bahtiri.

Ferati pretendon se Bahtiri bëri disa deklarata që nuk përkojnë me të vërtetën andaj kërkon nga Gjykata që t’i trajtojë këto pretendime.

Avokati Koci për KALLXO.com ka konfirmuar se padia për shpifje ndaj Bahtirit është ushtruar për deklarimin se Agim Bahtiri kishte thënë se “Ti ju ki 300 vetëve borxh nëpër fshatra. Ju ke marr djathë fshatarëve”.

Duke kontestuar se këto deklarata nuk janë të vërteta, Ferati përmes padisë po kërkon 25 mijë euro si kompensim të dëmit material për fitimet e humbura që Ferati pretendon se i janë shkaktuar në veprimtaritë ndërmarrëse të tij.

Përpos deklaratave për djathin, në padinë për shpifje Ferati pretendon se Bahtiri ka thënë deklaratë të pavërtetë edhe lidhur me burimin e financimit të fushatës zgjedhore duke deklaruar se ‘Ku i ke marr të hollat për investim? Partia Demokratike t’i ka dhanë’.

Deklarimet e tilla të Bahtirit, sipas padisë konsiderohen se kanë pasur si qëllim dëmtimin e personalitetit dhe imazhit të paditësit duke qenë kundërshtar politik në garën për të parin e Mitrovicës.

Avokati Koci ka thënë se deri më tani ende nuk është caktuar ndonjë seancë lidhur me këtë rast.