Gjykimi për trafikimin me migrantë | Foto: KALLXO.com

70 Dokumentet e Gjetura te të Akuzuarit për Trafikim

Në gjykimin e gjashtë personave të akuzuar për trafikim me migrantë, avokatët kërkuan zëvendësimin e arrestit shtëpiak me ndonjë masë tjetër më të butë.

Në fillim ishte avokati mbrojtës Behar Ejupi i cili kërkoi nga trupi gjykues që Florent Krasniqit t’i zëvendësohet masa e arrestit shtëpiak në masën paraqitje në stacion policor.

Kësaj kërkese iu bashkëngjitën edhe të gjithë avokatët e tjerë mbrojtës.

Trupi gjykues pastaj aprovoi kërkesën e avokatëve, duke liruar të akuzuarit nga arresti shtëpiak.

Por seanca e këtij gjykimi nuk u mbajt ngase munguan gjashtë dëshmitarë, katër nga të cilët e kishin pranuar në mënyrë të rregullt nga gjykata ftesën për dëshmi.

Seanca u shty në fund të muajit maj.

Aktakuza thotë se me rastin e bastisjes nga policia, të akuzuarve Skender Berisha, Fatmir, Florim, Florent e Miftar Krasniqi, Arben Ndrecaj dhe Granit Uka u ishin gjetur rreth 70 dokumente të personave të ndryshëm të prodhuara me qëllim për të hyrë në shtetet europiane.

Në bazë të aktakuzës Skender Berisha, Fatmir, Florim, Florent e Miftar Krasniqi, Arben Ndrecaj dhe Granit Uka, duke vepruar si grup që nga muaji dhjetor i vitit 2014 e deri në dhjetor të vitit 2015, me qëllim që vetes të i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, kanë bërë kontrabandimin e migrantëve nga Kosova në shtete të ndryshme të Evropës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë prodhuar dokumentet e ndryshme të identifikimit me qëllimin për të hyrë në shtetet europiane-pasaporta, letërnjoftime, kartela sigurimi shëndetësore, patentë-shoferë, kartela bankare, viza, vendime të gjykatës, vendime të administratës tatimore, vendime të Policisë së Kosovës, dokumente tjera të lëshuara nga Ministria e Brendshme si certifikata të lindjes, ekstrakte të lindjes, certifikata të vendbanimeve, certifikata të vdekjes si dhe vula të pikave kufitare të cilat janë përdorur për t’i vendosur në pasaportat e prodhuara nga të akuzuarit.

Gjatë bastisjes nga ana e policisë janë gjetur dhe konfiskuar edhe një numër i paisjeve për prodhimin e dokumenteve si viza shengen blanko, pasaporta të Republikës së Sllovenisë, pasaporta të Republikës së Çekisë, letërnjoftime e patentë-shoferë të Republikës së Kosovës, çertifikata të lindjes, diploma të Universitetit të Prishtinës, pasaporta e patentë-shoferë të Sllovenisë, letërnjoftime e sigurime sllovene, lejeqëndrime zvicerane, dokumente udhëtimi të Zvicrës, letërrnjoftime të Sërbisë, letërnjoftime e patentë-shoferë të Bullgarisë, sigurime shëndetësore të Danimarkës, leternjoftime e patentë-shoferë të Çekisë, sigurime shëndetësore çeke, premi e patentë-shoferë të Italisë,  letërnjoftime e patentë-shoferë të Greqisë, patentë-shoferë Ffnlandezë, patentë-shoferë të Gjermanisë, si dhe shumë dokumente të tjera të prodhuara gabimisht të cilat kanë mbetur në vendngjarje.

Të akuzuarit në grup akuzohen nga prokuroria se kanë kryer veprën penale kontrabandimi me migrantë.

Po ashtu, të akuzuarve Fatmir Krasniqi dhe Arben Ndrecaj me rastin e bastisjes u janë gjetur edhe sasi të narkotikëve.

Me këtë, Krasniqi dhe Ndrecaj kanë kryer edhe veprën tjetër penale, posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

KALLXO.com ka shkruar edhe për procese tjera me të akuzuar për trafikim me migrantë.

http://kallxo.com/gjykimi-per-dergimin-ilegal-te-nje-familjeje-ne-europe/