Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të ish-inspektorëve

Zyrtarja Administrative Dëshmon Kundër ish-Kolegëve

Miradije Rrustemi ishte dëshmitarja e radhës në procesin ku të akuzuar janë 10 ish-inspektorë të ndërtimit të Komunës së Prishtinës. Ajo foli për raportet që përgatiteshin nga inspektorët, ku dërgoheshin dhe ku përfundonin.

Zyrtarja administrative në sektorin e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Miradije Rrustemi, ishte dëshmitarja e radhës në gjykimin ku të akuzuar janë 10 ish-zyrtarë të këtij departamenti.

Rrustemi duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari tha se ish-shefi i sektorit të Inspekcionit të Ndërtimit, Ismet Haliti, nuk kishte njohuri të punës me kompjuter.

“Kompjuter ka pasë por s’ka pasë njohuri për punën me kompjuter”, tha dëshmitarja Rrustemi kur u pyet nga prokurorja Hajdari se pse Ismet Haliti, si kryeshef i Inspeksionit të Ndërtimit i kishte shtypur akt-rrënimet tek ajo e jo vet.

Lidhur me njohuritë e tij për kompjuterin dëshmitaren e pyeti edhe i akuzuari Haliti. Ai e pyeti dëshmitaren se në bazë të çfarë vlerësimi po thoshte se ai nuk e njihte punën me kompjuter?

“Në bazë të asaj që keni ardhur tek unë me i shtypë vendimet e jo tek zyret e tyre”, u përgjigj dëshmitarja.

Dëshmitarja duke vazhduar dëshminë e saj tregoi për mënyrën e raportimit të inspektorëve të Ndërtimit tek kryeshefi i tyre.

“Inspektorët i kanë përgatitë raportet, i kanë dërguar tek unë dhe unë e kam bërë përmbledhjen dhe e kam dërguar tek kryeshefi”, tha dëshmitarja.

Miradije Rrustemi tregoi se këto raporte ishin në baza javore, mujore, tremujore, gjashtëmujore dhe ato i dorëzonte të printuara në formë fizike.

Dëshmitarja tregoi se në përbërje të këtyre raporteve kishte dokumente të tilla si thirrjet, që u janë bërë palëve, ndalesat, vendimet lidhur me lëndën, vendimet për ndalim të punës, vendime për rrënime.

Rrustemi tha se nuk e dinte se çfarë ndodhte më pas me  këto raporte.

Pyetje për dëshmitaren që si zyrtare në Komunën e Prishtinës punon nga viti 2000, patën edhe avokatët e të akuzuarve.

Avokati Ramiz Krasniqi që mbron të akuzuarin Ismet Haliti në pyetjet e tij u fokusua në marrëdhënien në mes të klientit të tij dhe ish-drejtorin e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi.

Kush kujt i ka raportu, Muhamet Gashi Ismet Halitit apo Ismet Haliti Muhamet Gashit? Cili e ka pasë pozitën më të lartë? – ishin pyetjet e avokatit.

“Nuk e di”, u përgjigj Rrustemi.

Krasniqi e pyeti dëshmitaren se pasi që tha se kishte shtypur disa shkresa për Ismet Halitin, a e dinte se kujt i drejtoheshin ato, por edhe kjo pyetje mori një “Nuk e di”, si përgjigje.

Më herët në këtë proces dëshmitar ishte edhe vet ish-drejtori i Inspeksionit, Muhamet Gashi.

Seanca e radhës do të vazhdojë në muajin qershor.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Dy Vrasje si Dëshmi për Kërcënim të ish-Inspektorëve

Lakna Dëshmon Kundër ish-Inspektorëve

https://kallxo.com/svecla-perseri-ne-gjykimin-e-inspektoreve/

27 Prill 2016 - 08:47

Labinot Leposhtica 27/04/2016 - 08:47
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend