Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatëve për kryetar të Gostivarit për ndërtimin e çerdheve dhe sallave sportive

Kandidatët për kryetar të Komunës së Gostivarit në Maqedoninë e Veriut në Debat Pernime kanë diskutuar në lidhje me planprogramet e tre për fushën e arsimit.

Shkollat në këtë komunë punojnë në dy ndërrime.

Shkollat fillore në fshatin Forinë dhe Çajlë të Gostivarit nuk kanë fare salla sportive, ndërsa në shkollën ekonomike, salla e sportit është e vjetruar.

Në Gostivar ekzistojnë 9 çerdhe publike, mirëpo të dhënat na tregojnë që edhe rreth 200 fëmijë janë në listë të pritjes.

Kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit nga Lëvizja Besa, Fadil Zendeli tha se ka probleme me shkollat dhe me sallat sportive. Zendeli shtoi se ka mungesë të sallës së sportit në fshatin Çegran.

“Ka probleme me shkollat, kemi probleme në një shkollë në fshatin Çegran, në hapësirat e kësaj shkolle nuk ka sallë sporti. Është në plan të përpilimit që brenda hapësirave të fshatit Çegran duhet të ndërtohet një sallë sporti. Kur bëhet fjalë për çerdhet, çerdhet janë dhe të gjithë gostivarasit e dinë se ku janë çerdhet në Gostivar. Ajo që ne mund ta bëjmë dhe që është e paraparë me planin gjeneral urbanistik në të gjitha zonat urbane të qytetit duhet të ketë çerdhe. Në çdo shkollë fillore mund të hapen paralele për çerdhet dhe do t’i bëjmë”, tha Zendeli.

Ndërsa Arben Taravari, kandidat nga koalicioni ASh-AAA, tha se nuk ka nevojë që të ndërtohen më shumë se tre çerdhe në komunën e Gostivarit.

“Në periudhën që vijon unë mendoj se në Gostivar më shumë se tre çerdhe nuk ka nevojë t’i bëjmë. Palestra sportive mendoj se në territorin e komunës së Gotivarit ka diku gjashtë ose shtatë palestra sportive, të cilat objektivisht ta themi nuk përdoren aq sa duhet, pasi që gati se çdo i dyti ose i treti fshat ka palestrën e shkollës, por ekziston edhe palestra sportive qendrore që është në qendrën e qytetit të Gostivarit”, tha Taravari.

Taravari tregoi se në cilat fshatra do të ndërtohen çerdhet gjatë mandatit të ardhshëm.

“Mendoj se për çerdhe ka nevojë në Bajnicë të Epërme, Llaki dhe në fshatin Sërmnovë”, u shpreh Taravari.

E Renata Elezi, kandidate e PDSh-së për komunën e Gostivarit, tha se duhet të ndërtohen edhe tri çerdhe.

“Në Gostivar janë hapur çerdhe, janë hapur edhe në Bajnicë të Poshtme por, duhet më së paku edhe dy-tri çerdhe. Numri është i madh, ka prindër që punojnë dhe s’kanë ku t’i çojnë fëmijët sepse numri nëpër çerdhe është i kufizuar. Sa për palestra sportive, Forinës, Çegranit, i duhen se nuk janë aq afër dhe çdo kush nuk mund të vijë deri në Gostivar që të merret me sport dhe besoj që do t’i bëjmë. Minimalisht tre çerdhe të reja do të ketë gjatë mandatit”, tha Renata Elezi.

Të ftuar në debat janë kandidatët: Arben Taravari nga koalicioni koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Fadil Zendeli nga Besa dhe Renata Elezi nga PDSh.

Kandidatët përballë gazetares Jeta Xharra do të diskutojnë për tema të ndryshme në interes të qytetarëve të Gostivarit, duke filluar nga shëndetësia, arsimi, infrastruktura, ambienti, qentë endacak, siguria publike, e transporti.