Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatëve për kryetar të Fushë Kosovë për emërimin e grave në krye të drejtorive

Kandidatët për kryetar të Fushë Kosovës, në #DebatPernime kanë dhënë zotimet e tyre se sa drejtori do të udhëhiqen nga gratë, nëse ata marrin mandat qeverisës.

Kandidati për kryetar të komunës së Fushë Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Berisha tha se do t’i emërojë 3 ose 4 gra si drejtoresha.

“Nja 3-4 gra. Ne i kemi 11 drejtori”, tha ai.

Kurse, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Enver Bajçinca tha se ka vendosur që 50 për qind të drejtorive dhe pozita vendimmarrëse t’ua jap grave.

Ndërkaq, kandidati nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Hasan Ismajli tha se 70 për qind e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.

“70 sepse edhe ashtu i kam në ekipin tim pjesën me të madhe të grave dhe përparësi do t’i kem ato”, tha ai.

Në anën tjetër, kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, për kryetar të Fushë Kosovës, Rrahim Tërnava tha se mbi 60% do të jenë gra drejtoresha në komunë.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Fushë Kosovës: Burim Berisha nga LDK; Enver Bajçinca nga LVV; Hasan Ismajli nga AAK dhe Rrahim Tërnava nga PDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës: Aida Alimi nga PDK; Vildane Latifi nga AAK; Vjollca Breznica nga LVV dhe Vjollca Konjusha nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.