Osmani: Nuk do të ketë libreza partiake, por meritokraci për punë

Në #DebatPernime, kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ekipin e saj janë duke shpalosur programin qeverisës të tyre të cilën do ta vënë në funksion nëse marrin mandatin qeverisës.

Osmani tha se në qeverisjen e LDK-së nuk do të ketë punësime me libreza partiake por meritokraci e mund për punën që do ta fitoj një person.

“Nuk do të ketë më libreza partiake por do të jetë vetëm meritokracia mundi dituria dhe puna e tyre”, tha ajo.

Tutje ajo shtoi se qytetarëve të Kosovës u duhet shpresë që të mos largohen për shkak të arsyeve ekonomike.

“Kryesisht dëshpërimi është për arsye ekonomike por ka edhe të tjera. Qytetarëve tanë sidomos të rinjve u duhet shpresë që ky vend do të qeveriset mirë. Po pajtohem me ju që në fillim duhet të sigurohet që të kemi meritokraci në institucione tona. Natyrisht që rolin kryesor e kemi ne, por nuk do të ndodh më që Ambasada Britanike ose edhe ajo amerikane dhe do ta ftojmë edhe atë gjermane të lidhin marrëveshje me ne e ajo të mos respektohet”, tha ajo.

Tutje Osmani shtoi se po synojnë që të kërkojnë nga ambasadat amerikane, gjermane e britanike që të rrisin prezencën e tyre dhe të ketë një monitorim korrekt.

Tutje ajo iu përgjigj në pyetjen se çfarë do të bëjë për të punësuar të rinjtë në Kosovë.

“Kjo do të ndodh në veçanti të krijimit të politikave të punësimit pro çka është me rëndësi, ne shkojmë i vizitojmë bizneset dhe ata thonë që nuk kemi zanatlinjtë kjo nuk është veç pse ata po ikin por kjo është për shkak të mungesës së shkollave profesionale, sepse ne i japim rendësi tejet të madhe vetëm diplomës për derisa nuk ka shkolla të mjaftueshme profesionale që të punësohen këta zanatlinjtë”, tha ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe Xhavit Rexhaj.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.