Goran Radosavleviq (majtas) në selinë e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012. Foto: BETA.

Vrasja e vëllezërve Bytyqi, SHBA-ja i ndalon hyrjen ish-komandantit serb

Qeveria amerikane ndaloi hyrjen në vend të Goran Radosavleviq, një ish-shef policie dhe zyrtar i Partisë Progresive Serbe, për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në shkeljet e të drejtave të njeriut në luftën në Kosovë.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha të martën se po e cakton Goran Radosavleviqin të papërshtatshëm për të hyrë në vend për shkak të asaj që ai pretendon se ishte “përfshirja e tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

“Radosavleviq ka qenë i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi pas luftës së Kosovës,” tha Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë.

Në korrik të vitit 1999, tre shtetas amerikanë me origjinë shqiptare – Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi – u kapën nga policia serbe në kufirin me Kosovën pas përfundimit të luftës teksa po ndihmonin një familje rome të largohej nga Kosova.

Trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv në një qendër policore trajnimi në Petrovo Selo në Serbinë lindore.

Shumë dëshmitarë pohuan se në atë kohë, personi përgjegjës për kampin e trajnimit të Petrovo Selos ishte Radosavleviqi, edhe pse ai këmbënguli se ishte në pushime kur u vranë vëllezërit.

Radosavleviq, i cili tani drejton disa kompani sigurie në Beograd dhe është një zyrtar i lartë i Partisë Progresive në pushtet, u hetua shkurtimisht në lidhje me këtë krim nga prokuroria serbe, por nuk u padit asnjëherë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka premtuar vazhdimisht progres në rastin e vëllezërve Bytyqi që nga viti 2012, por deri më tani askush nuk është paditur për vrasjet e tyre.

Radosavleviq u bë i njohur për publikun serb gjatë luftës së Kosovës, kur si komandant i njësive speciale të policisë, ai udhëhoqi disa operacione që çuan në vdekjen e më shumë se 100 njerëzve, duke përfshirë një sulm ndaj familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari në vitin 1998 dhe një operacion në fshatin Reçak, në të cilin u vranë 44 vetë. Ai pretendoi se këto ishin operacione anti-terroriste dhe mohoi kryerjen e krimeve të luftës.

Radosavleviq ishte tepër i besueshëm nga autoritetet e Beogradit dhe gjatë luftës në Kosovë ai shërbeu gjithashtu si ndihmës i shtabit shtetëror për Kosovën, i drejtuar nga Sreten Lukiq, i cili më vonë u dënua për kryerjen e krimeve të luftës gjatë konfliktit.

Sipas disa dëshmitarëve, Radosavleviq ishte i pranishëm në pranverën e vitit 1999 kur trupat e të paktën 80 shqiptarëve të Kosovës u sollën nga Kosova në qendrën e trajnimit në Petrovo Selo dhe u varrosën në një gropë aty pranë.

Por Radosavleviq e mohoi pjesëmarrjen apo që të ketë qenë i informuar për largimin e trupave.

Ai luajti një rol të rëndësishëm në rrëzimin e Sllobodan Millosheviqit në tetor të vitit 2000, kur vendosi të mos përdorte forcë kundër protestuesve që po demonstronin për dorëheqjen e liderit jugosllav.

Radosavleviq u bë një figurë e shquar në policinë dhe institucionet shtetërore serbe – duke kaluar nga një prej shërbëtorëve më të afërt të regjimit të Millosheviqit në një prej gjeneralëve të policisë të qeverisë së sapokrijuar demokratike të udhëhequr nga kryeministri Zoran Gjingjiq.

Në vitin 2001, ai u bë komandanti i parë i një force të ministrisë së brendshme të quajtur Xhandarmëria. Ai u përgëzua gjithashtu për rolin e tij në udhëheqjen e forcave policore gjatë një konflikti të shkurtër me kryengritësit shqiptarë në Serbinë jugore të njëjtin vit.

Në vitin 2005, Radosavleviq doli në pension dhe nisi biznesin e tij privat në sektorin e sigurisë, duke iu bashkuar Partisë Progresive Serbe në vitin 2010. Ai rrallë shfaqet në publik dhe është parë vetëm pak herë në festimet e partisë.

Përveç Radosavleviqit, Departamenti Amerikan i Shtetit ndaloi gjithashtu hyrjen në vend të gruas dhe vajzës së tij, Svetlana dhe Ana.