Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Vrasja e rreshterit Shemsi Gashi, Apeli e kthen rastin në rigjykim

Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Shemsi Gashi, ta kthejë në rigjykim.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur mbrojtësi i të akuzuarit Vesel Bunjaku, avokati Mentor Neziri.

Sipas  gjykatës së shkallës së dytë, aktgjykimi i shkallës së parë është në kundërshtim me faktet vendimtare lidhur me vendimin për dënim.

Sipas këtij aktvendimi të Gjykatës së Apelit, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore ka kundërthënie ndërmjet asaj që thuhet në aktgjykim si dhe deklaratave të dhëna nga dëshmitarët.

Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte shqiptuar 58 vjet burg shtatë të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor Shemsi Gashi ndërsa njërin nga të akuzuarit e kishte shpallur të pafajshëm, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/58-vjet-burg-per-vrasjen-e-policit-shemsi-gashi/

I akuzuari Vesel Gjinovci ishte dënuar me 9 vjet e gjysmë burg në akuzat për vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje, Kujtim Bejiqi ishte dënuar me 6 vjet burg, Ramadan Gashi i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 25 vjet, Mujë Gashi ishte dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje, Robert Gashit për veprën penale moslajmërim të veprës penale ishte dënuar me 3 vjet burgim,e i njëjti ishte liruar nga vepra penale armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore Vesel Bunjakut i kishte shqiptuar dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Adonis Gashi ishte dënuar me 4 vjet burgim.

Kurse ndaj të akuzuarit Agron Gashi, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues.

Mirëpo pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve si dhe të  prokurorit, Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim që për shkak të shkeljeve të cilat thuhet se janë konstatuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, çështja të kthehet në rigjykim.

Po ashtu me anë të këtij aktvendimi, Apeli ka vendosur që ndaj të akuzuarit Robert Gashi, të cilit Gjykata Themelore i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 3 vjetëve, i njëjti të lirohet nga akuza.

E për të akuzuarit Vesel Gjinovci, Ramadan Gashi, Vesel Bunjaku lidhur me veprën penale të armë mbajtjes pa leje, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore.

Mirëpo ndaj të akuzuarit Agron Gashi ndaj të cilit Gjykata Themelore kishte nxjerrë aktgjykim lirues, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështjen ta kthejë në rigjykim.

Me këtë aktvendim gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që në raport me veprat penale të vrasjes së rëndë, shtytje në vrasje të rëndë dhe ndihmë në vrasje lënda të kthehet në rigjykim.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në lagjen “Mati” të Prishtinës, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzoi tetë persona.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Në aktakuzë bëhet e ditur se për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.

Aktakuza zbulon se shtëpia e Gashit ishte sulmuar me armë një muaj para vrasjes së tij, por rreshteri nuk e kishte lajmëruar sulmin në polici, ngase dëshironte që problemet private t’i mbante larg detyrës zyrtare.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor Vesel Gjinovci ishte penduar për vrasjen.

http://kallxo.com/vesel-gjinovci-penduar-tregon-planin-per-vrasjen-e-policit-shemsi-gashi/

Kallxo.com