Një fshat në Kosovë pas luftës. Foto: Flickr/ Marietta Amarcord.

Zyrtarët Serbë Akuzohen për Mbulimin e Masakrës në Kosovë

Fondi për të Drejtën Humanitare tha në një raport të ri të publikuar të martën se 110 persona që morën pjesë në operacione për të larguar dhe fshehur trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe në vitin 1999, ende jetojnë të lirë në Serbi.

FDH tha se ndër personat që janë të përfshirë në operacionin e mbulimit të krimit përfshihen zyrtarë të ushtrisë dhe policisë, përfaqësues të gjykatave, stafi në zyrën e prokurorisë, anëtarë të forcave të Mbrojtjes Territoriale dhe zyrtarë të lartë jugosllavë.

Ajo tha se kishte prova se presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq urdhëroi ministrin e tij të brendshëm Vlajko Stojiljkoviq të kryente operacionin për fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në një përpjekje për të shmangur ndjekjen penale nga gjykata e krimeve të luftës të OKB-së në Hagë.

“Ne e dimë se ka pasur një takim në zyrën e presidentit Millosheviq dy ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s të Jugosllavisë në mars 1999 dhe në atë takim ata planifikuan atë operacion, qëllimi i të cilit ishte të shmangej çfarëdolloj përgjegjësie për ato krime,” tha studiuesi e FDH, Nemanja Stjepanoviq.

Ai pretendoi se ministri i brendshëm Stojiljkoviç dhe zyrtarë nga departamenti i sigurisë i ministrisë së brendshme, Radomir Markoviq dhe Vladimir Gjorgjeviq, gjithashtu morën pjesë në takim, së bashku me zyrtarë të tjerë të ushtrisë dhe policisë.

Stjepanoviq tha se u vendos se Gjorgjeviq do të ishte përgjegjës për operacionin së bashku me dy zyrtarë të tjerë nga ministria e brendshme.

“Ne u përpoqëm të siguronim të gjitha informacionet për këdo nga këta zyrtarë që ne e identifikuam si përgjegjës për krimet dhe fshehjen e trupave në varre masive, por policia na dha dosje për ata që mbanin disa poste në ministri, por që tani janë pensionistë. Nuk mundëm të siguronim informacione për persona kyç nga ai operacion. Ata na thanë se nuk kanë informacione,” tha ai.

Gjorgjeviq u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për vrasjen dhe persekutimin e shqiptarëve të Kosovës, si dhe për përfshirjen e drejtpërdrejtë në mbulimin e krimit.

Stojiljkoviq vrau veten në Beograd para ekstradimin e tij në Hagë. Markoviq është momentalisht në gjyq për vrasjen e gazetarit opozitar Slavko Çuruvija në vitin 1999.

FDH akuzoi gjithashtu ish-asistentin e ministrit të brendshëm Petar Zekoviq dhe ish-komandantin e forcave speciale të policisë Goran Radosavljeviq, i njohur ndryshe si Guri, i cili ishte edhe komandant i kampit të trajnimit të policisë Petrovo Selo ku u gjetën të varrosur disa nga trupat, si përgjegjës për transportimin e trupave të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi.

Zekoviq tha për BIRN në vitin 2014 se ai ishte i pafajshëm, por nuk deshi të komentonte më tej për akuzat. Aktualisht ai është në gjyq nën dyshimet se ka abuzuar me fondet publike gjatë epokës së Millosheviçit.

Radosavljeviq ka mohuar gjithashtu të ketë marrë pjesë në operacionin e mbulimit të krimit, gjenerali i dalë në pension tani drejton kompani sigurie në Beograd dhe është në bordin ekzekutiv të Partisë qeverisëse Progresive të Serbisë.

Eshtrat e civilëve shqiptarë të vrarë janë gjetur në varre masive në katër vende të ndryshme në Serbi që nga viti 1999.

Një total prej 744 trupash u gjetën në një qendër stërvitore të policisë në rrethinat e Beogradit, në Batajnicë, 61 në kampin e trajnimit Petrovo Selo, 84 pranë liqenit Peruçac dhe 52 në një gurore në Rudnica.

“Askush nuk është ndjekur penalisht për këtë dhe ne i bëjmë thirrje prokurorëve të fillojnë një hetim objektiv,” tha drejtoresha ekzekutive e FDH, Milica Kostiq.

FDH tha gjithashtu se më shumë se 1,000 trupa të shqiptarëve të Kosovës mbeten ende të zhdukur.

“Kemi dyshime se ka ende rreth 100 trupa në varre masive në Serbi,” tha Kostiç.

Historia e burrave përgjegjës për masakrat dhe përpjekja për fshehjen e këtij krimi ishte temë e dokumentarit investigativ të BIRN, “Të Paidentifikuarit”.