(VIDEO) Rrëfen nëna që u dhunua në luftë bashkë me dy vajzat

Fatimja* nuk mund t’i përmbaj lotët kur e kujton luftën e fundit në Kosovë në vitin 1999.

Ajo, së bashku me dy vajzat e saj, dy dekada më parë janë dhunuar seksualisht nga pjesëtarët e forcave serbe.

Pas dhunimit, ajo kishte mbetur pa ndjenja, ndërsa kur u zgjua nuk e gjeti gjallë njërën nga vajzat.

Familja e saj kishte mbetur pa ushqime për disa ditë rresht. E për të siguruar atë, ajo kishte vendosur të dilte të kërkonte në shtëpitë përreth që atë kohë ishin të pabanuara.

Për të ju shmangur ndonjë takimi të padëshiruar me ushtarët serb, ajo së bashku me vajzat pritën muzgun që të shkonin në njërën prej shtëpive të lagjes që të merrnin ujë.

Por, gjithçka ndryshoi për të dhe dy vajzat e saj atë natë.  Ajo natë iu kthye në tragjedi.

 

“Ata ishin me uniforma, paramilitar edhe kanë pasur maskat. Kur i kam pa, janë kanë do kamiona tu shku  anës së Mitrovicës, edhe ai i fundit u ndal, edhe kur i kam pa tu ardh, atëherë jemi ikë edhe ajo shpia u kanë e pabanueshme, aty jemi hi për me u fshehë prej tyre, ata na kanë gjetë. M ‘kanë gjetë mu me dy vajzat. Na jemi shku me marr ujë, edhe ma vajza jem nuk u  kthy e gjallë.”, thotë ajo në një rrëfim për KALLXO.com.

Ngjarja e asaj nate është e paharrueshme për të. Fatimja, që në atë kohë ishte rreth 30 vjeç, u dhunua nga ushtarët serb së bashku me dy vajzat e saj. Ajo që ishte në moshë më të madhe nuk arriti t’i mbijetojë dhunimit.

“ Na kapen na ndajtën, mu më ndajtën prej vajzave, më futën në atë tjetrën dhomë, më kanë rrehë boksa, më thoshin hiqi teshat. Tani, kur i kam dëgju çikat tu bërtitë në atë tjetrën dhomë, jam hi kur i kam kçyrë, ata ishin kanë mbi vajzat e mija. Jam shku i kam kapë për setre, se piskatshin çikat, edhe i kam hjekë”, thotë ajo.

“.Ata tani më kanë ra me diçka këtu, edhe ma s’kemi ditë kurrgjë, veç aty na kanë rrehë na kanë dhunu na kanë qitë si helm a se di ata çka u kanë, ma nuk kena ditë vetëdije s’kena pasë …”, kujton çastet tragjike të asaj nate Fatimja.

Nga dhunimi që kishte përjetuar ajo bashkë me vajzën që i mbeti gjallë, thotë se edhe sot i përjetojnë traumat.

“Nuk është lehtë me i ndodhë njeriut me vajzat e veta me e pa njërën të gjallë njërën të vdekur. Edhe ajo që jeton, ëdhtë e vdekur. Ka raste kur me ilaçe duke e mbajtur vajzën, se mos me kanë ilaçet, veç ta gjesh tek varri (I motrës së vdekur), shkon  e thotë: unë du me flejt këtu”, rrëfen ajo.

Ajo nuk e kishte menduar se do të mbijetonte nga ajo që i ndodhi. Ndërsa, thotë se të dyja vajzat vetë i dërgoi në shtëpi, njërën pas tjetrës, atje ku ishin anëtarët e tjerë të familjes.

“Unë vajzat e mija i kam marrë, të voglën e kam marrë të paren e kam dërgu te shpia, u kanë njëfarë bari i madh, edhe e kam marrë nëpër bari trup i kam ra, edhe e kam qu te shpija vajzën e vogël. Burri m’ka thënë, çka u bë kështu që u vonuat, i thash po shkoj me marrë vajzën tjetër. M’ka thënë burri, jo mos shko se po shkoj unë, i kam thanë jo se mos po të vrajnë ty serbët se unë nashta, unë po vdes se kam derdh gjak shumë edhe nuk e di a jetoj  a s’jetoj…”, thotë tutje gruaja.

Për atë që i ndodhi atë natë, ajo thotë se e din vetëm burri dhe vajza që ishte me të.

“ Ju dhimbëm shumë ju dhimtëm, kur e ka pa vajzën e vdekur e mu qashtu e këtë tjetrën vajzë, ju kemi dhimbtë shumë edhe ka thanë ruaju mos fol dikund me e ditë”, thotë ajo.

“Po më dhimni po s’po kam çka me ba”, i kishte thënë burri kur e kuptoi se gruaja dhe vajzat ishin dhunuar nga forcat e ushtrisë serbe.

Gjatë momenteve të dhunës, ajo dëgjoi edhe një emër të ushtarëve serb, por, Fatimja nuk beson që do t’i njihte ata po t’i shihte sot, për shkak të kohës së gjatë që kur ndodhi e gjithë ngjarja.

“Kështu me i njoftë nuk e di a mundem me i njoftë veç, një emër e kam dëgjuar kur ka thanë,  kur më ka goditë ai mu i ka thënë, ja ka përmend emrin, një polic a nuk e di çka u kanë…”, kujton ajo.

Pas përfundimit të luftës, ajo pati shumë probleme me shëndetin bashkë me vajzën e saj që i mbijetoi dhunës. Ndërsa, gjendjen ia rëndoi edhe më shumë gjendja e rëndë ekonomike.

“Mas luftës kam hjekë mas shumti me shërim të vajzës që e kam gjallë edhe me veten”, thotë tutje e dhunuara seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në mars të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore për njohjen e statusit për të gjitha gratë e dhunuara seksualisht gjatë kohës së luftës.

Në vitin 2017, Qeveria e Kosovës formoi një komision për pranim dhe verifikim të statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Për atë që i ndodhi Fatimëe dhe dy vajzave të saj, ajo pret drejtësi të cilën thotë se po e pret nga shteti.

“Neve na vyn vendimi, nuk ashtë punë atë pensioni po me ditë dikush çka ka ba Serbia mbi neve, e ka ba krimin edhe u ikë, as nuk ja ninë kerkujna, po na e kanë lajmru, ja kena lanë shtetit këtë punë, edhe shteti le të merret me neve”, përfundon ajo.

*Emri është pseudonim i vendosur nga KALLXO.com për të ruajtur identitetin e vërtetë të saj.