Tryeza e diskutimit “Trajtimi Institucional i Rasteve të Dhunës në Familje”

Haxhiu: Është hartuar protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë nga gjykata e policia, u mblodhën sot në tryezën e diskutimit “Trajtimi Institucional i Rasteve të Dhunës në Familje” në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.

Dukuritë e dhunës në familje dhe ato të dhunës seksuale ishin tema kryesore e kësaj tryeze.

Ministrja Haxhiu tha se tashmë është hartuar edhe protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, i cili kryesisht përfshin ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës.

Sipas saj, deri më tani nga Ministria e Drejtësisë janë adresuar edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, ashtu që personat të cilët shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe për dhunë seksuale, të kenë edhe dënime plotësuese që u pamundëson atyre të kandidojnë në pozita publike apo të punësohen në institucione për periudhën prej 1 deri në 10 vite.

Edhe Kodi Penal i Republikës së Kosovës, siç potencoi ajo, nuk është duke u përfillur sa i përket dënimeve për rastet e dhunës në familje.

“Kodi Penal parasheh që për dhunë në familje të ketë dënim maksimumi 3 vite, por deri më tani në bazë të analizës që e kemi bërë, asnjë vendim nuk është në maksimumin e asaj çka parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovë”- tha Haxhiu.

Ndërkaq gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Burim Shala, është shprehur se për trajtimin e rasteve të tilla nuk ka mungesë të legjislacionit, por ka mungesë të kapaciteteve.

“Ka raste, çka kemi mujtë me vërejt në praktikë, mungesë të kapaciteteve jo të mjaftuara njerëzore, profesionale që t’i trajtojnë rastet e dhunës në familje me një qasje serioze, profesionale, objektive duke filluar nga organet e rendit, të sigurisë që është policia, pastaj punëtorët socialë, mbrojtësit e viktimave si dhe në fund edhe gjykata”- tha Burim Shala.

Ministrja Haxhiu tha se dhuna në familje nuk trajtohet me prioritet as nga komunat e ndryshme të vendit, duke shtuar kështu si ministri ka edhe mungesë të komunikimit me komunat përkatëse sa i përket rasteve dhe trajtimit të dhunës në familje.

“Çka po besoj unë është se edhe vet udhëheqësit e komunave kanë mendësi patriarkale edhe mendojnë që dhuna në familje është çështje provave dhe që komuna nuk ka çka me bo këtu e kjo është gabim shumë i madh”- theksoi Albulena Haxhiu.