Deputeti i PDK-së, Azem Syla - Foto: Facebook

Veseli Përshëndet Dorëheqjen e Azem Sylës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas njoftimit se deputeti i PDK-së, Azem Syla, ka dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit pas operacionit të djeshëm të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, gjatë të cilit Azem Syla është kërkuar për t’u arrestuar, pasi që dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal, i cili ka tjetërsuar pronën shoqërore të Kosovës.

Kryekuvendari ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ky është reagimi i plotë i Kadri Veselit:

Pershëndes dhe përgëzoj deputetin e Kuvendit të Republikës Kosovës, z. Azem Syla, për aktin fisnik të dhënies së dorëheqjes prej mandatit të deputetit për t’i hapur plotësisht rrugën organeve të drejtësisë në procesin e zbardhjes dhe trajtimit të çështjes së hapur ndaj tij. Me këtë veprim ai po vendos një precedent të ri të qytetarisë dhe përgjegjësisë publike që duhet të shërbejë si standard dhe model për të gjithë ata që gjenden në rrethana të ngjashme. Prandaj, unë inkurajoj të tjerët aktorë politikë dhe funksionarë të lartë shtetërorë, që gjenden para akuzave apo kanë çështje të tilla të hapura me drejtësinë, që të ndjekin rrugën e njëjtë dhe të tërhiqen nga detyrat e rëndësishme që kanë në mënyrë që ta lënë drejtësinë sa më të lirë në përmbushjen e detyrës së vet.