Foto: KALLXO.com

Rrethojat e dëmtuara të lumit ‘Tërstena’ në Vushtrri, rrezik për qytetarët - FOTO

Rrethojat e shtratit të lumit “Tërstena”, në Vushtrri janë të dëmtuara, duke shkaktuar kështu rrezik për qytetarët dhe për banorët që jetojnë afër rrjedhës së këtij lumi.

Komuna e Vushtrrisë ka paralajmëruar rregullimin e gjendjes.

Banorët e kësaj komune shprehen të shqetësuar për situatën.

“Të rrezikuar jemi, se fëmijët këtu kollaj bien…Këto menjëherë, si i kanë ngjitë, i kanë prish” – thotë Kimete Dushi, e cila banon afër lumit.

Ndërsa Bukurie Selaci, tregon se si djali i saj është detyruar që një pjesë të këtyre mbrojtëseve ta rregulloj vetë.

Kurse, Fidane Pantina, thotë se deri më tani, rruga në lagjen e saj pranë lumit “Tërstena”, nuk ka pasur as ndriçim për vite me radhë.

Rreth zonës shihen edhe mbeturina.

Në anën tjetër, drejtori për Shërbime Publike, Benjamin Shala, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se kjo gjendje është e shkaktuar si pasojë e ndërhyrjeve në këtë lumë pas vërshimeve që kanë ndodhur në këtë qytet në fillim të vitit.

“Gjendja e paraqitur në fotografi është shkaktuar nga ndërhyrja që kemi bërë gjatë vërshimeve, si e tillë paraqet rrezik e kemi parasysh dhe shumë shpejt presim të nënshkruajmë kontratën e rikonstruimit dhe do të intervenojmë në sanimin e dëmit”, thuhet në përgjigjen e Shalës.

Sipas tij, tashmë një pjesë e dëmtimeve është evituar dhe që pritet të rregullohen edhe pjesët e tjera gjatë ditëve në vijim.

“Mbrojtëset veç kanë filluar të riparohen gjatë kësaj jave”, është shprehur ai.